Kosova

Policia e Kosovës sekuestron mbi 33 kilogramë marihuanë në Vërmicë


Sasia e konfiskuar nga ana e Policisë së Kosovës

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të enjten ka arrestuar një person të dyshuar i cili po barte substanca narkotike në bjeshkët e fshatit Vërmicë.

Sasia e konfiskuar nga ana e Policisë së Kosovës është mbi 33 kilogramë substancë narkotike të llojit marihuanë.

“Ngarkesa e dyshuar ndodhej në dy çanta me 11 (njëmbëdhjetë) paketime në sasi prej mbi 33 kg, substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë. Lidhur me rastin është konsultuar prokurori kompetent dhe rasti i kompletuar së bashku me substancën e dyshuar i dorëzohet Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotik Prizren për trajtim të mëtutjeshëm”.

I dyshuar, siç ka njoftuar Policia e Kosovës ka qenë bashkë me një tjetër person të cilin zyrtarët policorë nuk kanë arritur ta kapin.

Personat në fjalë janë vërejtur duke hyrë nga territori i Republikës së Shqipërisë në territorin e Republikës së Kosovës përmes rrugëve malore në mënyrë të paligjshme.

“Personat e lartcekur janë vërejtur se gjatë lëvizjes, në shpinë bartnin ngarkesa të dyshuara, ku pasi të njëjtit kishin hyrë në zonën e Republikës së Kosovës, nga zyrtarët policorë janë urdhëruar që të ndalohen, mirëpo të njëjtit kanë lëshuar ngarkesat që bartnin dhe kanë filluar që të ikin, njëri nga ta është arritur të ndalohet nga ana e zyrtarëve policorë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore