Kosova

Policia e Kosovës për suspendimin e zyrtarit policor: Shkeli rregullat disiplinore


Ilustrim

Policia e Kosovës përmes një komunikate për media ka konfirmuar suspendimin e zyrtarit policor, Amir Hoxha, i cili në rrjetin e tij social në Facebook ka shprehur pakënaqësinë e tij në lidhje me mos-pagesën e shujtave për policët.

Sipas Policisë suspendimi në fjalë është bërë për shkak të shkeljes së rregullave të brendshme disiplinore.

“Suspendohet një zyrtar policor nën dyshimet për shkelje të brendshme disiplinore Bazuar në Udhëzimin Administrativ “Për Shkeljet, Masat dhe Procedurat Disiplinore në Policinë e Kosovës” 04/2019, përkatësisht neni 24, paragrafi 1.17, është suspenduar një zyrtar policor. Vendimi mbi suspendimin në kohëzgjatje deri në tri (3) ditë, është marrë për zyrtarin policor (punonjës në Stacionin Policor Qendra Prishtinë), nën dyshimet për shkelje disiplinore të sanksionuar sipas udhëzimit të sipërshënuar”, thuhet në njoftim.

Në anën tjetër Sindikata e Policisë së Kosovës ka reaguar në lidhje me suspendimet që u janë bërë pjesëtarëve të policisë gjatë ditëve të fundit.

Për Sindikatën e Policisë, këto raste kanë qenë shqetësuese për ta, teksa bënë të ditur se do të kërkojnë sqarim për arsyet e suspendimit.

“Sindikata e Policisë së Kosovës është në mbrojtje të të gjithë pjestarëve të policisë në të gjitha kërkesat e tyre ligjore si dhe do t’i mbrojë të gjitha veprimet ligjore të përcaktuara me urdhëresa, udhëzime dhe autorizime ligjore”.

Amir Hoxha

Ndryshe Amir Hoxha, zyrtar i Policisë së Kosovës, është pezulluar nga detyra për një afat kohor prej tre ditësh, pasi i njëjti ka postuar në rrjetin e tij social në Facebook një status lidhur me pakënaqësinë e tij për mos pagesën e shujtave për policët.

Ai madje i indinjuar me rregulloren e Kuvendit për pagesën e udhëtimit për deputetët, ka bërë krahasimin ndërmjet një polici, të cilit nuk i paguhet shujta gjatë kryerjes së detyrës dhe një deputeti i të cilit i paguhet karburanti, edhe pse ky i fundit mund të bëjë edhe pa të.

Për Policin në fjalë pezullimi i tij nga detyra vjen me pretekstin se i njëjti ka kryer vepër penale apo shkelje të rëndë disiplinore, pasi ka shprehur mendimin e tij të lirë për një pakënaqësi.

“Sapo mora njoftimin për suspendim të përkohshëm timin në afat prej tre ditësh lidhur me një postim që e kam bërë me datën 04.02.2022 në lidhje me pakënaqësinë time për mos-pagesën e shujtave për policët ne kryerje të detyrës e qe ligjërisht na takojnë”, ka shkruar Hoxha në Facebook.

“Me sa e di unë me njohurinë time si jurist i diplomuar në Universitetin e Prishtinës ‘fjala e lire apo shprehja e një pakënaqësie e cila është e bazuar në Ligj’ nuk paraqet vepër penale”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore