Lajme

Policia e Kosovës me angazhime shtesë në zbatimin e masave të reja antiCOVID-19


Policia e Kosovës në zbatim të masave antiCOVID-19

Policia e Kosovës në orët e vona të së shtunës ka njoftuar se ka shtuar angazhimet për të zbatuar planin operativ ku parashihen masa konkrete policore për parandalim të përhapjes së pandemisë COVID-19.

Plani operativ i policisë ka filluar pak orë pas marrjes së vendimit të Qeverisë për masat e reja, të cilat do të hyjnë në fuqi nga ora 24:00.

Sipas policisë, ky plan ka pësuar ndryshime varësisht prej vendimeve të institucioneve gjegjëse dhe masave të ndërmarra.

“Policia edhe tani, me marrjen e masave të reja, do të angazhohet në zbatim të vendimit dhe detyrave që bien në fushëveprimin e policisë”.

“Andaj, kërkojmë nga të gjithë qytetarët që të zbatojnë masat në të mirë të shëndetit publik në mënyrë që të gjithë së bashku ta kalojmë sa më lehtë edhe këtë valë”.

Policia u zotua se do të vazhdojë aktivitetet policore dhe ndërmarrjen e masave ndëshkuese ndaj atyre që nuk zbatojnë masat.

 

Masat e reja antiCovid-19 – Zgjatet ora policore, shkurtohet orari i gastronomisë

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar masat e reja antiCovid-19.

Në faqen zyrtare të Kryeministrit, thuhet se pas një mbledhje virtuale të kabinetit Qeveritar, janë vendosur masat e reja që do hynë në fuqi nga nesër (e shtune), ku parashihet zgjatja e orës policore, duke filluar nga ora 22:00 e mbrëmjes deri në ora 05:00 të mëngjesit, ndërsa do të shkurtohet orari i gastronomisë.

“Kufizimi i qarkullimit të qytetarëve do të jetë nga ora 22:00 deri në ora 05:00, përveç rasteve të natyrës urgjente (për të kërkuar ndihmë mjekësore, blerje të barnave, për të ofruar kujdes ose ndihmë mjekësore, për të shmangur dëmtimin ose për t’i shpëtuar një rreziku lëndimi)”.

Kurse orari në gastronomi sipas masave të reja të miratuara është shkurtuar, nga ora 22:00 në 21:00.

“Shërbimet e gastronomisë lejohet të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 05:00 deri në orën 21:00”.

“Muzika lejohet vetëm deri në orën 20:30”, thuhet në njoftim, ndërsa përgjegjësit e lokaleve duhet të sigurohen që “distanca ndërmjet klientëve në tavolina të ndryshme të jetë së paku një (1) metër”, thuhet në njoftim të Zyrës së kryeministrit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore