Shqipëria

Policia bën bilancin mujor: 94 operacione policore dhe 520 shtetas të arrestuar


Policia e Shtetit ka publikuar të dielën e 5 marsit bilancin e muajit shkurt të zbatimit të ligjit në territorin e vendit.

Gjatë muajit shkurt 2023, janë finalizuar 94 operacione policore dhe janë vënë në pranga 520 shtetas, 16 prej tyre në kërkim ndërkombëtar, vëren policia.

Mes tyre edhe finalizimi i operacioneve për kapjen e 12 shtetasve në kërkim ndërkombëtar që fshiheshin në vendet e BE-së, në Dubai dhe në Shqipëri.

Plani operacional mbarëkombëtar i koduar “Fijet” vijoi me fazën e dymbëdhjetë dhe të trembëdhjetë të tij, si rezultat i të cilave u çmontuan dhe u sekuestruan 40 kamera të tjera të vendosura në kundërshtim me ligjin, në disa qarqe.

Autoritetet bënë me dije se 15 shtetas u vunë në hetim, për cenim të privatësisë.

Që nga nisja e operacionit deri tani, janë çmontuar 548 kamera dhe janë vënë në hetim 116 shtetas.

Si rezultat i hetimeve të pandërprera në të gjithë vendin, janë evidentuar dhe goditur 123 raste të krimeve ekonomike dhe financiare.

Janë goditur 15 raste të kontrabandës së naftës, ilaçeve, cigareve, kafes, lëndëve piroteknike e mallrave të tjera.

Gjatë operacionit “Embargo”, u sekuestrua një anije cisternë me të cilën u tentua të futeshin kontrabandë 22 mijë e 500 tonë naftë, në Shqipëri, nëpërmjet portit të Durrësit.

Gjithashtu, gjatë 2 operacioneve dhe rasteve të tjera të goditura, janë sekuestruar medikamente mjekësore, celularë, lëndë pesticide, kafe dhe mallra të tjera të kontrabanduara.

Në kuadër të punës hetimore për gjurmimin dhe identifikimin e pasurive që rrjedhin nga aktiviteti kriminal është organizuar nga DVP Tiranë, operacioni policor i koduar “Resort 2012”, i cili është finalizuar me sekuestrimin e pasurive që arrijnë vlerën 3 milionë euro, në emër të një shtetasi të dënuar për trafikim droge.

Gjithashtu, Policia e Shtetit ka sekuestruar 2 apartamente dhe 1 automjet, në pronësi të një shtetasi të akuzuar si pjesëtar i një grupi kriminal.

Reagimi i menjëhershëm dhe ndërhyrja në kohë e Policisë, parandaloi përshkallëzimin e konflikteve mes shtetasve të ndryshëm, në 8 raste.

Falë inteligjencës informative, shërbimet e Policisë parandaluan ngjarje të rënda kriminale në fushën e krimeve kundër personit, në Elbasan dhe në Vlorë.

Në Elbasan u sekuestruan 4 armë zjarri, 2 shishe me lëndë djegëse dhe 1 automjet i vjedhur, ndërsa në Vlorë u sekuestruan 3 mina me telekomandë.

Si rezultat i veprimeve hetimore të thelluara nga Policia, janë zbardhur 3 ngjarje kriminale të ndodhura në Tiranë, Librazhd dhe Maliq dhe 1 aksident i ndodhur në Durrës.

Goditja e armëmbajtjes pa leje ka qenë prioritet i punës së Policisë, gjatë këtij muaji.

14 operacione dhe 68 raste për goditjen e kësaj veprimtarie kriminale, kanë vënë në sekuestro: 276 kilogramë lëndë plasëse, 33 armë zjarri, 6 armë gjahu, 30 kallëpe me lëndë plasëse, 4 mina të montuara me C4, 8 granata, 2 ndezës granatash, 290 kapsolla detonatorë dhe municion luftarak.

Parandalimi i kultivimit të bimëve narkotike ka qenë një tjetër prioritet i punës së strukturave policore, në të gjithë vendin.

Gjatë muajit shkurt u zhvilluan 17 operacione dhe u goditën 196 raste, si rezultat i të cilave u sekuestruan rreth 27 kilogramë kanabis, 2.2 kilogramë kokainë, 4 kilogramë heroinë, fara kanabisi dhe shumat 186 mijë e 700 euro, 400 dollarë dhe rreth 1 milionë e gjysmë lekë të rinj, të përfituara nga shitja e lëndëve narkotike në doza.

Kontrolli i pandërprerë i territorit solli rezultat edhe goditjen 49 rasteve të krimeve mjedisore, në zonat e mbrojtura dhe në zona të tjera.

14 operacione për goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme të lojërave të fatit janë finalizuar me sekuestrimin e 7 makinetave, 6 tavolinave të pokerit, dhjetëra aparateve celulare, sendeve të tjera dhe shumave të parave që janë përfituar nga kjo paligjshmëri.

Monitorimi i akseve rrugore, me pajisje logjistike bashkëkohore, ka vijuar çdo ditë të këtij muaji, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.

Si rezultat janë pezulluar lejet e drejtimit të 2279 shtetasve që kanë kryer shkelje të ndryshme, janë vënë në pranga 406 shtetas që drejtonin automjetin, nën efektin e alkoolit apo pa leje drejtimi, dhe 7 të tjerë që e drejtonin atë, nën efektin e lëndëve narkotike.

Shërbimet e Policisë Kufitare kanë goditur 36 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit, 8 raste të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, 13 raste të falsifikimit të dokumenteve, 11 raste të mos-deklarimit të të hollave, 6 raste të kontrabandës së mallrave, 1 rast në fushën e narkotikëve, 2 raste të trafikimit të mjeteve motorike dhe 1 rast i korrupsionit aktiv.

Janë sekuestruar rreth 237 mijë euro, 21 mijë e 790 paundë dhe 10 mijë franga, të padeklaruara në pikat e kalimit kufitar.

Gjatë muajit shkurt, nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe ato të drejtorive vendore në qarqe, janë evidentuar dhe goditur 43 raste të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore