Policia e Shtetit, gjatë muajit korrik ka finalizuar 115 operacione policore. Gjithashtu, Policia ka finalizuar 13 operacione policore ndërkombëtare, në bashkëpunim me Europolin, partnerët italianë, spanjollë, gjermanë dhe malazezë.
Policia e Shtetit përmes një njoftimi për mediat ka pasqyruar rezultatet e arritura gjatë punës së saj në muajin korrik. Sipas policisë, muajin e shkuar janë vënë në pranga 607 autorë të dyshuar për vepra të ndryshme penale nga të cilët 81 ishin të shpallur në kërkim. Janë asgjësuar 103 284 fidanë e bimë narkotike cannabis sativa. Janë arrestuar 13 autorë të dyshuar kultivimi dhe janë proceduar në gjendje të lirë 5 shtetas për shpërdorim të detyrave si dhe janë sekuestruar 2 mina me telekomandë, 38 armë zjarri, rreth 2 kg kokainë dhe dhjetra doza të lëndëve narkotike cannabis sativa, kokainë dhe heroinë;
Po ashtu, janë goditur 5 grupe kriminale në Tiranë, Shkodër, Durrës dhe Berat, gjatë operacioneve “Summer”, “Oblika”, “Old plants”, “Tempulli 3” dhe “Lidhjet”. Këtyre grupeve iu vunë në pranga 50 pjesëtarë dhe iu sekuestruan asetet.
Policia gjithashtu ka finalizuar si rezultat i bashkëpunimit me partnerët amerikanë, 2 operacione policore. Njëri operacion zbardhi një skemë të madhe mashtrimi, me objektiv sistemin arsimor në te gjithë vendin, ndërsa tjetri goditi një grup kriminal për dhënie ndihmë shtetasve shqiptarë, në PKK Hani i Hotit, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufijve, drejt Kanadasë dhe Amerikës.
Si rezultat i informacioneve të siguruara nga Policia e Shtetit shqiptar dhe të shkëmbyera nëpërmjet Europol, me Policinë malazeze, u finalizua operacioni ndërkombëtar i koduar “Kidnapping”, gjatë të cilit u mundësua gjetja dhe lirimi i 11 emigrantëve që ishin marrë peng nga emigrantë afganë. 3 prej autorëve u arrestuan në Mal të Zi. Ata i mbanin pengjet në një territor malor në Mal të Zi, nën kërcënimin e armëve, dhe kërkonin 50 000 euro për t’i liruar.
Ndërsa, si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me homologët, janë ekstraduar 26 shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Gjithashtu janë parandaluar ngjarje kriminale që mund të kryheshin me shpërthimin e minave dhe/ose me armë zjarri, si dhe është parandaluar përshkallëzimi i 5 konflikteve në familje me armë zjarri ose armë të ftohta si dhe janë zbardhur 2 tentativa për vrasje, në Korçë dhe në Vaun e Dejës, disa djegie të pronave në Vlorë dhe në Lezhë dhe 3 shpërthime me eksploziv në Sarandë, Shkodër dhe Bulqizë.
Policia gjithashtu ka zbardhur 98 vjedhje, disa prej tyre: me forcë, të sendeve të turistëve ose të shumave të mëdhaja të eurove si dhe janë sekuestruar 831 çadra dhe shezlongë të vëna pa leje dhe në cenim të hapësirës publike në plazhet e qarkut Vlorë.
Po ashtu, është ndërhyrë në 12 lokale që kishin vënë muzikë, në tejkalim të nivelit dhe orarit të përcaktuar me ligj. Administratorët e këtyre subjekteve u proceduan penalisht, si dhe u sekuestruan pajisjet që gjeneronin muzikën si dhe është reaguar menjëherë për 40 raste të zjarrvënieve të qëllimshme ose nga pakujdesia. Autorët e tyre janë identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale;
Gjithashtu janë trajtuar ligjërisht 112 raste të dhunës në familje si dhe janë goditur 8 raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit. 3 prej tyre janë goditur në Tiranë dhe në Krujë, gjatë operacioneve “Big match”, “Poker 2” dhe “Ilegal game”. Këto operacione kanë rezultuar me vënien në pranga të 25 shtetasve, si dhe me sekuestrimin e sendeve dhe shumave të parave që i shërbenin kësaj veprimtarie.
Policia ka goditur 2 raste të transportimit të kundërligjshëm të emigrantëve dhe 4 raste të kontrabandimit të disa tonëve kafe, ilaçeve dhe produkteve të tjera të konsumit.
Policia Rrugore ka intensifikuar kontrollet dhe monitorimet në të gjitha akset e vendit, duke përdorur makinat inteligjente dhe bazën logjistike që ka në dispozicion, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe lëvizjen e lehtësuar të përdoruesve të rrugës, gjatë sezonit turistik.
Në këtë kuadër janë vënë në pranga 180 drejtues mjetesh, nga të cilët 131 për drejtim të mjetit në gjendje të dehur dhe 49 për drejtim të mjetit pa leje drejtimi. Janë pezulluar 526 leje drejtimi, nga të cilat 250 për tejkalim të normave të shpejtësisë, 83 për drejtim mjeti nën ndikimin e pijeve alkoolike dhe 193 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor, për të cilat parashikohet kjo masë administrative.
Gjithashtu, ka funksionuar 24/7, Trupa e Ndërhyrjes Teknike (TNT), në tunelin e ri të Llogarasë. TNT ka ndërhyrë menjëherë në një rast aksidenti, duke dhënë ndihmën e parë.
Policia Kufitare ka qenë tërësisht e fokusuar për të ofruar shërbim cilësor, të shpejtë dhe me etikë, për qytetarët/vizitorët e shumtë në hyrje/dalje të vendit gjatë pikut të sezonit veror, për të garantuar qarkullimin e lirë dhe të sigurtë të shtetasve, mallrave dhe shërbimeve, si dhe për të parandaluar dhe goditur krimet kufitare.
Si rezultat i punës dhe angazhimit për përmbushjen e këtyre prioriteteve, janë goditur 55 raste të kalimit të paligjshëm të kufijve, 6 raste të mosdeklarimit të të hollave në pikat e kalimit kufitar, 7 raste të trafikimit të mjeteve motorike dhe 2 raste të përdorimit të dokumenteve false për të kaluar kufijve.
Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare kanë bllokuar 137 mjete lundruese, për cenim të perimetrit të sigurisë të caktuar për lundrim dhe/ose për mungesë dokumentesh. Drejtuesit e këtyre mjeteve janë ndëshkuar me masa administrative që variojnë nga 10 000 lekë deri në 110 000 lekë;
Ndërkohë, Forca Kombëtare e Sigurisë, Njësia Alpine, Njësia Policore Detare, Policia Kufitare, patrullat e përgjithshme dhe Forca e Posaçme “Shqiponja”, në të gjithë vendin kanë qenë të angazhuara për t’iu shkuar në ndihmë turistëve dhe vizitorëve në nevojë. Në 22 raste në zona turistike malore, kanione dhe hapësira detare, iu është dhënë ndihmë 55 turistëve, vizitorëve dhe pushuesve të cilët kishin mbetur të izoluar për shkak të terrenit, defekteve në mjetet me të cilat lëviznin, kishin humbur orientimin ose rrezikonin të mbyteshin në det për shkak të defekteve në mjetet lundruese dhe dallgëve të mëdha.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com