Kosova

Policia bastisë disa biznese në Veri, konfiskohen mallra të kontrabanduara


Veriu i Kosovës

Policia e Kosovës ka kryer këtë të mërkure bastisje në tetë (8) lokacione në Veri, ku ka gjetur se gjashtë (6) biznese janë të paregjistruar, me ç’rast ka rezultuar në konfiskimin e një sasie të madhe malli. Këtu përfshihen, ndër të tjera, pijet alkoolike dhe joalkoolike, mjete piroteknike, cigare, çakmakë, ëmbëlsira, snacket, vaji i ullirit, por edhe lodrat për fëmijë.

Lajmi është bërë i ditur nga zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, i cili ka bërë të ditur se nga këto bastisje nuk është arrestuar asnjë person.

“Nga këto biznese 2 kanë qenë të regjistruara e 6 të paregjistruara. Dyshimi ka qenë për mall të kontrabanduar me ç’rast në bastisje janë thirrur edhe Njësiti Antikontraband i Doganës, Krimet Ekonomike dhe Administrata Tatimore e Kosovës. Nuk ka të arrestuar, ndërsa konfiskimet e mallit janë menaxhuar nga Njësiti Antikontraband e Doganës”, ka thënë Elshani.

Malli i konfiskuar në Leposaviq

Zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e Veriut ka lutur qytetarët e Veriut të Kosovës – i banuar me shumicë serbe – që t’i regjistrojnë bizneset e tyre dhe të mos vënë në qarkullim mallra të kontrabanduara, pasi që, siç ka theksuar ai, pasojat juridike për ta janë të mëdha.

Edhe të martën, Policia e Kosovës pas një aksionin në Komunën e Leposaviqit, kishte identifikuar një depo në të cilën ndodheshin mallra pa dokumente përkatëse.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës në këtë depo janë gjetur dhe sekuestruar 500 litra pije alkoolike, 200 litra pije joalkoolike, 450 litra vaj, 500 kilogramë sheqer, 300 kilogramë produkte konditorike dhe 10 boksa cigare pa banderola.

Malli i konfiskuar

Me këtë rast pronari i depos në Leposaviq, sipas Policisë së Kosovës ka kryer veprën penale: “Shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave akcizore”.

Në njoftim bëhej e ditur se lidhur me rastin të gjitha veprimet hetimore kanë qenë në koordinim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore