Policia arreston pronarin e laboratorit të drogës në Leposaviq

SHFLETO

Laboratori në Leshak të Leposaviqit.

 

Altina Marmullaku
06.09.2022 15:49
Loading Icons...

Të martën e 6 shtatorit është arrestuar pronari i laboratorit për përpunimin e substancave narkotike në Leshak të Leposaviqit i cili ishte shkatërruar me 1 korrik të këtij viti.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar Drejtori i Policisë për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Besim Hoti.

“Po i njëjti është arrestuar sot në mëngjes, ndërsa nga data 1 korrik 2022 ka pasur urdheresë të gjykatës për arrestimin e të njëjtit”, ka thënë Hoti për AP.

Më 1 korrik, policia e Kosovës kishte shkatërruar një laborator për përpunimin e substancave narkotike në Leshak të Leposaviqit.

Lajmin e kishte bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

Ai kishte bërë të ditur se laboratori ka pasur të montuara dhe të gatshme për përdorim të gjitha pajisjet e përpunimit të substancave narkotike. Vlera e pajisjeve të konfiskuara kishte thënë se është rreth 250 mijë euro.

“Çdo ditë e më shumë po e kuptojmë pse qarqe të caktuara nuk dëshirojnë shtrirjen e sundimit të ligjit dhe rendit në tërë Republikën e Kosovës. Policia e Kosovës sot ka shkatërruar një laborator të gatshëm të fillojë përpunimin e substancave narkotike”.

“Laboratori i shkatërruar në Leshak të Leposaviçit ka pasur të montuara dhe të gatshme për përdorim të gjitha pajisjet e përpunimit të substancave narkotike. Vlera e pajisjeve të konfiskuara është rreth 250.000 euro”, kishte shkruar ministri.