Policia arreston ish-asistentin e Kurtit

SHFLETO

Arianit Beqiri dhe Albin Kurti

 

Dreni Himbeqa
24.06.2024 21:48
Loading Icons...

Policia e Kosovës, të hënën, e ka arrestuar asamblistin e Komunës së Prishtinës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arianit Beqirin.

Beqiri, ish-asistenti i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, gjatë arrestimit i ka rezistuar zyrtarëve policorë.

Nga pamjet e publikuara në media, Beqirit i janë vënë prangat pas një rezistimi të gjatë.

Policia e Kosovës, e kontaktuar nga Albanian Post, nuk ka treguar arsyet e arrestimit të Beqirit.

Ndërkohë arrestimin e tij e ka konfirmuar asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla, i cili ka potencuar se kolegu i tij u vu nën pranga pasi refuzoi ta paguajë biletën për hyrje në një hapësirë publike, ndonëse hyrja në ambientet ku po shfaqen ndeshjet e futbollit të Kamiponatit Evropian është pa pagesë.

“Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Arianit Beqiri u arrestua në sheshin e Prishtinës sepse refuzoj të paguaj hyrjen në hapësirën publike ku po shfaqen ndeshjet e futbollit”, ka shkruar ai në platformën sociale, Facebook.

Sveçla ka kërkuar që me zyrtarët policorë të cilët e arrestuan Beqirin të merret Inspektorati Policor i Kosovës.

“Për uzurpimin e hapësirave publike të qytetarëve fajtor është Përparim Rama dhe partia e tij, për dhunën e shfaqur nga polici i cili e godet me shkelm Ariantin, duhet të merret Inspektorati Policor”.