Lajme

Polici Afrim Bunjaku, varroset me ceremoni shtetërore


Ceremonia shtetërore e varrimit të policit, Afrim Bunjaku.

Polici Afrim Bunjaku, i cili është vrarë të dielën në fshatin Banjskë të Zveçanit, në Veri, është varrosur këtë të hënën në fshatin Samadrexhë të Vushtrrisë.

Në varrimin e tij pjesëmarrës ishin krerët e institucionit të shtetit, ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier dhe shefi i Bashkimit Evropian, Tomas Szunyog.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë fjalimit të saj ka thënë se Afrim Bunjaku, është hero i secilit shqiptarë.

Osmani gjatë ceremonisë së varrimit potencoi se Bunjaku, bëri sakrificën më sublime duke u bërë hero i Kosovës.

“Jemi mbledhur këtu me zemër të thyer dhe pikëllim të thellë për të nderuar një rreshter të përkushtuar i cili dje bëri sakrificën më sublime duke u bërë hero i Kosovës”.

“Përballja e tij me terroristët e dirigjuar nga Serbia ishte beteja e fundit për të por jo fundi i tij. Prej sot, Afrimi është heroi i secili shqiptar, i secilit qytetar që e do Republikën e Kosovës, sepse ai dje mbrojti integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit tonë”, u shpreh Osmani.

Teksa, ka deklaruar se kujtimi për të do të mbetet i përjetshëm.

“Do të kujtohet përherë sa të jetë Republika. Heroi më i ri i Republikës, dje dëshmoi se Kosova është mbi të gjitha, Afrim Bunjaku është dëshmi se shteti ynë ka nevojë se secili nga ne t’i bëhet gardian”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, potencoi se dita e 24 shtatorit do të shënohet në historinë e Kosovës si dita kur Afrim Bunjaku, ra dëshmor e u bë hero i Kosovës

“Jemi mbledhur këtu në Samadrexhën e rezistencës, në Samadrexhën e Osman e Shaban Bunjakut, të cilët me pushkë në dorë luftuan kundër pushtetit jugosllav, e jemi mbledhur këtu për t’i dhënë lamtumirën stërnipit të tyre Afrim Bunjakut, i cili ra heroikisht në ditën e djeshme pikërisht sikur paraardhësit e tij duke mbrojtur Kosovën, shtetin tonë, atdheun tonë të dashur, nga terroristët që hynë nga Serbia”.

“Dita e 24 shtatorit do të shënohet në historinë e Kosovës sikur dita kur Afrim Bunjaku ra dëshmorë e u bë hero i Kosovës, për ta ngritur shtetin tonë. Afrim Bunjaku ra në krye të detyrës si oficer i denjë i Republikës në mbrojtje të lirisë, pavarësisë dhe sovranitetit të Republikës sonë”, deklaroi ai.

Po ashtu, Konjufca deklaroi se Afrim Bunjaku dje e mbrojti Kosovën me jetën e tij.

“Rreshteri Afrim Bunjaku dje e mbrojti Kosovën me jetën e tij, ndërsa nga sot renja e tij do t’i frymëzojë brezat e ardhshëm se si mbrohet atdheu”, u shpreh tutje ai.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Po ashtu, Osmani në mbledhjen komertative për nder të policit, Afrim Bunjaku, i cili u vra në fshatin Banjskë në Veri të Kosovës, nga bandat kriminale të Serbisë ka ndarë Post-Mortem, urdhrin me të lartë të Republikës ‘hero i Kosovës’ të cilin e pranuan familjarët e policit Bunjaku.

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra, një u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi terrorist nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.

Derisa pjesëtarët e tjerë të grupit terrorist dyshohet se janë arratisur duke kaluar në territorin e Serbisë.

Policia e Kosovës është duke vazhduar operacionin edhe gjatë së hënës.

Sipas informacioneve të fundit, Policia ka gjetur prova të reja, pajisje e materiale që janë konfiskuar në orët e fundit nga vendi i ngjarjes në të cilin për orë të tëra gjatë ditës së djeshme pati shkëmbime me armë zjarri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore