Policët e rrëmbyer s’janë pengesë për takim me Vuçiç-in, Kurti i interesuar për zbatimin e Marrëveshjes Bazë

SHFLETO

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

 

Altina Marmullaku
20.06.2023 18:00
Loading Icons...

Serbia më anë të një akti të paprecedent ka hyrë në territorin e Kosovës, ka zënë tre policë kufitarë kosovarë, i ka rrëmbyer ata, i ka dërguar në Serbi dhe u ka dhënë 30 ditë paraburgim, megjithatë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencë për media ka thënë se është i gatshëm të shkojë në Bruksel e të takohet me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, sepse i intereson që të zbatohet Marrëveshja Bazë e arritur në Bruksel dhe aneksi i akorduar në Ohër.

Në konferencë Kurti tregoi se shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, e ka njoftuar për gjendjen e policëve, e ka informuar për versionet e tyre – të tre folën njëjtë – se u rrëmbyen derisa po hanin drekë në një tavolinë të improvizuar dhe se aktualisht nuk po keqtrajtohen nga policia serbe, përveç se po ushqehen dobët.

Dëgjuar këto, Kurti pohoi se po i përgjigjet pozitivisht ftesës së shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell, dhe është i interesuar të bëhen bisedime serioze dhe konkrete për zbatimin e marrëveshjes së arritur me 27 shkurt.

“Do të komunikoj edhe me Brukselin dhe po jam i gatshëm dhe i interesuar që të shkoj në takimin e radhës në Bruksel”, deklaroi Kurti.

Atje, tha kryeministri, “do të praqes hollësisht të gjitha këto të dhëna të cilat i morëm”.

Kurti është i interesuar që ndërkombëtarët “ta kuptojnë që de-eskalimi i situatës që po e kërkojmë të gjithë, nënkupton lirimin e menjëhershëm të pakusht të tre policëve, ndërkaq normalizimi nënkupton zbatimin e menjëhershëm dhe pakushte të plotë të marrëveshjes bazike”.

“Pra unë jam shumë i interesuar që të paraqes gjithë dokumentacionin e Kosovës për këtë krim që është bërë ndaj republikës sonë, de-esklaimi drejt paqes nënkupton drejtësi dhe ne duam drejtësi”, pohoi.

 

Në konferencën e kësaj të marte, Kurti tha se “sa i përket zbatimit të marrëveshjes, Marrëveshja Bazike e ka në qendër njohjen reciproke de facto”.

“Unë e kuptoj që neni 10 u referohet të gjitha marrëveshjeve paraprake, por nen ende më i rëndësishëm është neni 7 që flet për vetëmenaxhim”.

Sa për draftin e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe që është kërkesë e ndërkombëtarëve shkruar edhe në akordin e Ohrit, Kurti deklaroi se “unë kam ofruar që do ta bëj draftin por duhet të pajtohemi për parimet, sepse nuk zgjidhim asnjë gjë ndryshe”.

“Pastaj unë lirisht e shkruaj atë draft-statut, sepse e kemi pranuar marrëveshjen”.

Arsyen e krizave të vazhdueshme në Veri Kurti pohoi se secili duhet ta kërkojë në Beograd, sepse, “për bindjen time presidenti i Serbisë i ka rënë pishman që e ka nënshkruar marrëveshjen”.

“Tash i kemi këto probleme se njëra palë nuk dëshiron ta zbatojë”.

Si përfundim, Kurti e ritheksoi se “unë dua takim të nivelit të lartë, ku sekuencimin e balancuar edhe fer e trajtojmë me seriozitet dhe sinqeritet maksimal”, prandaj “gatishmëria ime është e garantuar”.

A po shkaktohen krizat në Veri për mbijetesë në politikë?

Kurti, kur u pyet të komentojë këtë aludim të emisarit amerikan, Gabriel Escobar, tha se ai për vete jo.

“Vuçiç-i po”, shtoi.

Escobari – në një paraqitje bashkë edhe me evropianin Miroslav Lajçak nga Uashingtoni – pohoi se “ka njerëz në rajon që mbijetojnë politikisht për shkak të krizave të përhershme”, por Kurti potencoi që “nuk bëhet fjalë për kurrfarë mbijetese të qeverisë së Kosovës”.

Sepse, “edhe para zhvillimeve edhe pas atyre në Veri, Qeveria e ka rejtingun rekord. Escobar do ta ketë pasur fjalën për Vuçiç-in se atje ka demonstrata”.

“Nëse i interesojnë dikujt krizat, luftërat, gjakderdhjet atëherë është Beogradi. Aty mund të ketë interes që të mbijetohet nga kriza. Në Kosovë ka krizë për rendin dhje ligjin në Veri, andaj kjo nuk vlen për mua, Lajçak nuk e ka pasur fjalën për mua”, pohoi Kurti.

Kryeministrit iu kërkua të komentojë edhe një deklarim të Escobarit, atë se kriza në Veri mund të prodhojë një konflikt rajonal.

“Unë di shumë gjëra, por nuk i di të gjitha”, deklaroi Kurti, por shtoi se s’ia merr mendja që kjo që ka thënë Escobar të jetë e mundur.

“Për konflikt rajonal nevojiten më shumë se dy shtete” dhe Kurti s’e parashikon dot përfshirjen “as të Malit të Zi, as të Maqedonisë Veriore”.

Por, “Edi Rama e kërcënoi Serbinë, mbase Shqipëria”, shtoi me cinizëm kryeministri.

“Se kah mund të shkojë kriza në Veriun e Kosovës nëse nuk de-eskalon nuk mund ta di sot, por e di që eskalimi është pasojë e drejtpërdrejtë e përzierjes së Beogradit në punë të brendshme të Kosovës. Qartazi burimin e esklaimit duhet ta gjeni në Beograd. Nëse ka të drejtë Escobar, adresa është me siguri Beogradi”.

Bashkë me Kurtin në konferencë ishte edhe Gërvalla, ajo u pyet nëse ndjehet e shqetësuar me njoftimet e Bashkimit Evropian për masa shtrënguese dhe deklarimet e zyrtarëve amerikanë se ata më s’kanë entuziamzëm për ta ndihmuar Kosovën në anëtarësime në organizata e njohje të reja.

“Atë entuziazëm s’e kam parë as deri më tani”, deklaroi Gërvalla duke treguar shpërfillje për arsyet e brengosjes në raport me atë që u pyet.