Shqipëria

Polic për nga emërtimi, i përçmuar për nga detyra


Një patrullë policore e ndali një qytetar për një kontroll rutinë të dokumentacionit të automjetit në rrugë.

Fillim korriku ishte, por temperaturat kishin shfaqur oshilacione të larta prej një vale të nxehti afrikan.

“Mos e pyet”, i tha një prej policëve të patrullës qytetarit, i cili u rrëfye për redaksinë e Albanian Post. “Na kanë lënë këtu në pisk të vapës. Ndonjëherë na bie të kemi edhe uniforma të vjeshtës a të dimrit fare veshur. Nuk bëhet kështu!”.

“Lërë”, ia preu tjetri, me qytetarin që i shihte sa me shtangie, aq me dhimbsuri. “Na është rritur edhe nafta tani. Me pesë litra në ditë duhet të furnizohen mjetet e vogla. Furgonët me shtatë”.

“Po si i behët?”, pyeti qytetari?

“Hiç”, iu kthye polici i parë. “Në daltë ndonjëri që do duhet ta ndjekim, na lë vetura në mes të rrugës”.

Tjetër punë ishte ajo e policëve shqiptarë në pikën kufitare të Morinit në Kosovë. Ata nxirrnin edhe nga xhepi.

“Si keni qenë?”, e pyeti udhëtari policin e turnit në Morinë.

“Ç’e pyet!”, ia përmblodhi ai. “30 euro i kam harxhuar vetëm për traun në Kukës. Akoma nuk na i kanë rimbursuar! Ka lloj e soj procedurash, pa t’i marrësh paratë mbrapsht”.

Udhëtari nuk e zgjati shumë të kërkonte detaje, por e kuptoi se shumë durim paskësh pasur polici i shkretë.

I shihte shpesh ai edhe në Tiranë, edhe në qytete të tjera, teksa bënin ecejaket e tyre për kontrolle rutinë a për të vendosur gjoba në mes të diellit.

Radion e mbanin në dorë shumica, me frikë se mos i shpëtonte ndonjë gjë nga njoftimet.

Imazhin nuk e kanë edhe fort të keq, e kanë marrë veten kohët e fundit. Sikur edhe është rinuar pak Policia, është riformatuar disi.

Për të tjera detaje ama, veç fjalë të mbrapshta dëgjoje, si rastet më lart.

Në gjithë botën, Policia është figura e shtetit, pasqyra më e lartë institucionale e një kombi, e rregullit dhe e sigurisë që mbizotëron aty.

Në Shqipëri, me paga çalohet, si në çdo punë shteti. Por në Policinë e Shqipërisë, edhe më keq se mesatarja, ku rimbursimet shpesh herë mungojnë tërësisht.

25 milionë euro, sipas informatave zyrtare, u harxhuan në vitin 2020 për një tender të uniformave të Policisë.

Çështja përfundoi në SPAK pastaj, sepse u zbuluan abuzime. Si jo pak herë…

I veshën gjithsesi Policët. Ia dhanë një imazh. Por, emërtimin, ia lanë të njëjtë e figurën nuk ja ndryshuan.

Të vyen vetëm emri? Ndoshta!

Veçse, përdhosja, nuk fillon tek imazhi, por tek trajtimi. Në të, shteti çalon dhe keqazi.

Imazhin më të rëndësishëm institucional e shtetëror, ia përçmon, ashtu si detyrën.

Dhe kur e bën shteti këtë, qytetari s’ka rrugë tjetër…ndjek!

Shënim: Ky është rrëfimi i një qytetari pranë redaksisë së Albanian Post, me kërkesë nga vetë disa efektivë të Policisë së Shtetit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore