Pajisje

Po vjen superkompjuteri i parashikimit të motit


Në Mbretërinë e Bashkuar, Met Office po bashkëpunon me Microsoft-in për të ndërtuar një superkompjuter që arrin të parashikojë motin.

Agjencia e lajmeve, BBC, zbulon se kompanitë kanë pohuar se superkompjuteri do të mundë të parashikojë në mënyrë më të saktë motin dhe të ofrojë një kuptim më të mirë të ndryshimeve klimatike.

Në muajin shkurt, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka deklaruar se do të investojë një shumë prej 1.2 miliardë paund fonde në këtë projekt.

Superkompjuteri i tyre pritet të dalë në vitin 2022 dhe do të jetë një nga 25 më të mirët në botë. Gjatë dekadës së ardhshme Microsoft-i mund të marrë masa për ta azhurnuar atë me përmirësimet që do të ketë shkenca kompjuterike.

“Ky partneritet është një investim publik mbresëlënës në shkencat themelore dhe të aplikuara të motit dhe të klimës”, ka thënë profesori i Universitetit të Stanford-it, Morgan O’Neill, i cili është i pavarur në projekt.

Ai ka shtuar se “një investim i tillë i madh në një sistem modern të parashikimit të motit dhe klimës nga Britania e Madhe është një lajm i shkëlqyer në të gjithë botën dhe shpresoj te përparimet shkencore që do të pasojnë”.

Ndërkohë Met Office ka thënë se teknologjia do të rrisë kuptimin mbi motin duke lejuar njerëzit të planifikojnë më mirë aktivitetet, të përgatiten për motin e keq dhe të marrin një kuptim më të mirë për ndryshimet klimatike.

“Duke punuar së bashku do të sigurojmë grupe më cilësore të të dhënave të motit dhe klimës dhe parashikime gjithnjë e më të sakta që mundësojnë vendime që lejojnë njerëzit të qëndrojnë të sigurt”, ka thënë shefi ekzekutiv i kompanisë, Penny Endersby.

Nga ana tjetër, shefi ekzekutiv i Microsoft-it në Mbretërinë e Bashkuar, Clare Barclay, ka thënë se superkompjuteri do të ndihmonte në kryesimin e vendit në shkencën e studimit të klimës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore