Lajme

“Po s’u bashkuam sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë, jemi në rrezik të izolimit”


Dragan Gjilas

Për kryetarin e Partisë së Lirisë dhe Drejtësisë, Dragan Gjilas, është e rëndësishme që Serbia t’i bashkohet masave sanksionuese ndaj Rusisë, pas agresionit në Ukrainë, në të kundërtën vendi rrezikohet nga izolimi dhe margjinalizimi.

Gjilas, i cili drejton partin më me ndikim nga poli opozitar në Serbi, mendon se mos participimi i Serbisë me masat ndëshkuese të BE-së karshi Rusisë, do ta penalizonte vendin në aspektin ekonomikë.

“Numri më i madh i investitorëve vijnë nga BE-ja dhe bota perëndimore, ne eksportojmë më së shumti në Union dhe kemi bashkëpunim ekonomik me këtë pjesë të botës”, ka thënë Gjilas për mediumin serb “Nova.rs”.

Ndryshe e përditshmja serbe, “Danas”, duke u thirrur në burime diplomatike, pati raportuar se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka vetëm një vit afat që të nënshkruaj një marrëveshje me Kosovës dhe një ditë kohë që t’i vë sanksione Rusisë, menjëherë pasi që të formohet qeveria e re mu në krye me Ana Bërnabiç.

Sipas pretendimeve të Danas, nëse Serbia nuk është e gatshme të harmonizojë politikat e jashtme me ato të BE-së atëherë pasojnë masat kufizuese nga unioni.

“Nëse Bashkimi Evropian vendos për sanksione, hapi i parë do të jetë ndalimi i fluksit të parave në Serbi, pastaj anulimi i Shengenit, ndalimi i negociatave për anëtarësim në BE dhe më pas vinë sanksionet”, pati raportuar “Danas”.

Nga ana tjetër, shkruan Danas, Vuçiç do t’i mbajë shpresat te mbështetja e udhëheqësit autoritar në Hungari, Viktor Orban dhe te Komisioneri i BE-së për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë, Oliver Varhelji, nëse BE vendosë të ndërmarrë veprime të tilla.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore