Boterori 2022

Po shkëlqen me Marokun, vëllai i tij e sugjeron PSG-në ta transferojë  


Mesfushori i Fiorentina-s, Sofyan Amrabat, është një nga futbollistët më të mirë aktualisht në Kupën e Botës.

Ai është duke bërë paraqitje shumë të mira me kombëtaren e tij, Marokun, derisa ishte ndër më meritorët që kombëtarja afrikane preku gjysmëfinalen në Katar.

Pas paraqitjeve të mira, shumë skuadra janë vënë pas mesfushorit 26-vjeçar, përfshirë ato angleze Liverpool dhe Tottenham Hotspur.

Megjithatë, në skenë ka dalë vëllai i Sofyan, Nordin Amrabat, i cili ka thënë se skuadra e Paris Saint Germain do të ishte ideale për vëllain e tij.

“Kupa e Botës është një skenë po aq e madhe sa Liga e Kampionëve, ndoshta më e madhe, dhe ai është në qendër të vëmendjes”, tha Nordin Amrabat për gazetën franceze L’Equipe.

“Sofyan do të përshtatej shumë mirë me Paris Saint-Germain. Vetëm imagjinoni një mesfushë me të dhe Marco Verratti-n. Nasser Al-Khelaifi, nëse po i lexoni këto fjalë: duhet të nënshkruani me të”, ka shtuar marokeni.

Nordin Amrabat është gjithashtu një futbollist profesionist, që aktualisht luan me AEK-un e Athinës, por momentalisht është jashtë fushave për shkak të një lëndimi në gju.

Sa i përket Sofyan Amrabat, ai është me Fiorentina-n që nga janari i vitit 2020, kur u transferua nga Hellas Verona për 20 milionë euro.

Mesfushori maroken ka kontratë të lidhur me klubin nga Firence deri në verën e vitit 2024, por me paraqitjet e tij në Kupën e Botës do të jetë e vështirë që ai të qëndrojë aty.

L’Equipe pretendon se vlera e futbollistit në fjalë tani shkon diku rreth 50 milionë euro.

Amrabat u lind dhe u rrit në Holandë, por zgjodhi të luante për Marokun si adoleshent nga niveli U-17.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore