Kosova

“Po përgatiten 500 ushtarakë”, ministri Maqedonci qëndron në kazermën “Skënderbeu” në Ferizaj


Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka vizituar Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS) në kazermën e Forcës së Sigurisë së Kosovës “Skënderbeu” në Ferizaj, ku janë duke u përgatitur 500 ushtarakë të rinj.

Sipas njoftimit për media të kësaj ministrie, Komandant Gjeneralbrigade Jeton Dreshaj e ka njoftuar ministrin Maqedonci me mbarëvajtjen e gjithë procesit të rekrutimit, të stërvitjeve dhe trajnimeve që janë duke u zhvilluar.

“Aktualisht në disiplina të ndryshme kemi mbi 500 ushtarakë të cilët janë duke u përgatitur. Vetëm në trajnimin bazë kemi 363 rekrutë në kuadër të procesit të rekrutimit të 612 ushtarëve të rinj”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Mbrojtjes.

“Ministria e Mbrojtjes është e vendosur fuqishëm në ndërtimin e kapaciteteve tona ushtarake, si në rritjen e numrit të personelit ashtu edhe në edukimin, trajnimin, shkollimin dhe pajisjen me armatim modern sipas standardeve të NATO-s”.

Gjatë ditës, Maqedonci është takuar edhe me ambasadorin e Bullgarisë, Hristo Gudjev me të cilin ka diskutuar për situatën e sigurisë në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore