Shqipëria

Po ndihmojmë për zgjidhjen e situatës në Veri të Kosovës, thotë Xhaçka


Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, deklaroi se autoritetet shqiptare po ndihmojnë për zgjidhjen e situatës në Veri të Kosovës.

Lajmi u bë i ditur gjatë Takimit të Udhëheqësve të Mynihut (Munich Leaders Meeting 2022), bashkë-organizuar nga Rumania këtë vit.

“Për sa i përket Ballkanit Perëndimor, ne kemi nevojë për unitet dhe bashkëpunim më shumë se kurrë. Dhe atje po punojmë shumë për të mbështetur bashkëpunimin rajonal dhe për të ndihmuar në gjetjen e zgjidhjeve për situata si ajo në veri të Kosovës”, u shpreh fillimisht kryediplomatja shqiptare.

Sipas saj, Ballkani Perëndimor, si pjesa tjetër e Evropës, kanë ndjerë ndikimin e luftës në Ukrainë, me siguri.

“Ne ndjemë ndikimet ekonomike. Ne ndjemë pasojat e ndërhyrjes ruse në rajonin tonë, ku Rusia ka qenë shumë aktive në përpjekjet për të nxitur konflikt”, theksoi zyrtarja shqiptare.

Shqipëria, shtoi ministrja, ka zgjedhur të jetë pjesë e një koalicioni të vendeve demokratike dhe vendeve që besojnë se sulmi i Rusisë ndaj rendit ndërkombëtar të bazuar në sundim të rendit mund të ketë pasoja katastrofike për paqen dhe sigurinë nëse ka sukses.

“Ne mendojmë se kjo është një përplasje e dy vizioneve për të ardhmen e botës dhe si të gjitha përplasjet ka një kosto. Por ne jemi shumë të përkushtuar ndaj zgjedhjes që kemi bërë”, vijoi Xhaçka.

Ministrja garantoi se shqiptarët e shohin të ardhmen e tyre në BE, në NATO dhe po kontribuojnë me të mirën e aftësive të tyre për të ndihmuar.

Për zyrtaren e punëve të jashtme, Shqipëria ka qenë prej kohësh një faktor proaktiv i stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

“Por tani, ne po luajmë një rol shumë të rëndësishëm edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të mobilizuar mbështetjen diplomatike, për t’i dhënë fund luftës dhe për të izoluar sa më shumë Rusinë”, ravijëzoi në përmbyllje Olta Xhaçka.

Kjo ishte perspektiva e Shqipërisë nga takimi në Bukuresht për rolin e vendit në diplomacinë ndërkombëtare të krizës së shkaktuar nga lufta në Ukrainë.

Kujtojmë që, kryediplomatja shqiptare do të marrë pjesë gjithashtu në ministerialin e NATO-s në Rumani me ministrat e punëve të jashtme të vendeve aleate.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore