Lajme

“Po më dhimbset Hashimi, të jetë kështu i harruar nga partia e tij, as Ramiz Alisë nuk i ka ndodhur” – PDK’ja bojkotoi promovimin e librit për Thaçin në Tiranë


Foto nga Albanian Post

Në një nga sallonet e kryeministrisë së Shqipërisë u promovua libri, “Shtet i ri, burrë shteti modern”, i autorëve Roger Boyes dhe Suzy Jagger, një biografi për Hashim Thaçin.

Në një organizim madhështor me shumë personalitete të pensionuara dhe aktive në politikën shqiptare, befasia ishte se asnjë zyrtar i ambasadës së Kosovës nuk mori pjesë në promovim.

Por, të pranishmit i kishte befasuar akoma më shumë fakti se në promovim nuk pati asnjë zyrtar të Partisë Demokratike të Kosovës, po ashtu.

Të njoftuar me kohë, siç ka kuptuar Albanian Post nga organizatori, çuditërisht në sallën përplot të pranishëm nuk ishte asnjë nga Partia Demokratike e Kosovës, parti që e themeloi njeriu për të cilin po promovohej libri.

Një nga të pranishmit, ish-diplomat i shquar shqiptar, në habi e sipër, kishte shprehur zhgënjimin e thellë me atë që po shihet, pa e kuptuar mirë se përse kishte ndodhur.

“Po më dhimbset Hashimi”, i tha ai një ish-kolegu të tij të diplomacisë shqiptare, “të jetë kaq i harruar edhe nga partia e tij, as Ramiz Alisë nuk i ka ndodhur kjo”.

Duke dashur të mbetet anonim, meqë s’i dinte motivet e mungesës, përkundër se nuk e arsyetonte, ai tha se “u shtanga kur nuk pashë askënd nga Kosova”.

Përndryshe, në mesin e të pranishmëve në sallë, ishin të gjithë ish-ministrat e jashtëm socialistë, duke dërguar kështu një mesazh përkrahjeje.

Libri “Shtet i ri, burrë shteti modern”, u shkrua dhe publikua për herë të parë para disa vitesh në gjuhën angleze, por u promovua të enjten e kaluar në Tiranë nga Qendra për Hapje dhe Dialog COD në bashkëpunim me shtëpinë botuese “Fan Noli”.

Arsyeja e promovimit në këtë kohë, lidhej me 25 vjetorin e Konferencës së Rambujesë, nga ku Thaçi për herë të parë u shfaq si lider i pakontestueshëm i shqiptareve të Kosovës dhe arriti të siguroi marrëveshje me ndërkombëtarët duke mundësuar bombardimin e Serbisë, largimin e trupave serbe nga Kosova, sigurimin e transformimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, referendum pas një afati për të vetëvendosur populli orientimin përfundimtar dhe garanci personale nga sekretarja amerikane e shtetit, Madeleine Albright, se gjithçka do të shkonte ashtu siç ishin marrë vesh.

Në promovimin e librit folën botuesi Rexhep Hida, politikani Paskal Milo, ish-deputetja dhe njëkohësisht përkthyesja e librit në gjuhën shqipe, Arta Dade, historiani Pëllumb Xhufi dhe personalitete të tjera.

Libri “Shtet i ri, burrë shteti modern” flet se si para diçka më shumë se 20 vjet më parë “një udhëheqës i ri student-shqiptar i quajtur Hashim Thaçi udhëhoqi një revolucion kundër Sllobodan Millosheviç-it”.

Libri shpalosë se si Thaçi siguroi ndërhyrjen e NATO-s e në Kosovë, që mbetet “një shembull unik i një procesi që çoi në një tranzicion paqësor nga luftë e egër etnike drejt demokracisë moderne”.

Në kohën e botimit në anglisht International Affairs shkruante se autorët “Roger Boyes dhe Suzy Jagger tregojnë historinë e kombit më të ri të Evropës me kujdes të madh, siç mund të pritet nga reporterët me përvojë dhe të respektuar të punëve të jashtme…”.

IA shkruante po ashtu se libri përbën një “lexim të rrufeshëm për studentët të cepit juglindor të Evropës që ka prodhuar kaq shumë dhunë dhe urrejtje që nga fundi i Luftës së Ftohtë”.

“Ky është një libër jashtëzakonisht i lexueshëm”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore