Shqipëria

Pluset e konfidentëve


Prania e dikujt, konfident, ndjehet.

Vetëbesimi që e forcon dhe i shton sigurinë, edhe kur është i heshtur, dallohet.

Shumë të tjerë mund të duan ta arrijnë këtë stad të vetëdijes për të mirat e këqijat e vetes, por të shumtë janë edhe ata që ndjekin më pak të rekomanduarën zgjidhje.

Përpiqen të imitojnë. Por a imitohet personaliteti? E ndryshmja?

Për “Albanian Post”, psikologia Arjona Marra tregon se konfidenca është vetëdija për pikat tona të forta dhe të dobëta. Besimi dhe përdorimi i tyre për të maksimizuar dhe përmirësuar jetën.

“Është tipar i mësuar. Askush nuk lind konfident”, dallon ajo.

Por për t’u bërë i tillë nevojiten edhe shtysa.

Sipas saj, prindërimi dhe mënyra se si mësojmë të shikojmë veten që në fëmijëri është ajo që përcakton se si do ta shohim veten në të ardhmen.

“Prindërit duhet të vlerësojnë arritjet e fëmijës sado të vogla të jenë, t’u mësojnë atyre dashurinë e pakushtëzuar, mos t’i krahasojnë me të tjerët, mos t’i barazojnë me notat që marrin sepse ato nuk tregojnë vlerat e fëmijës”, këshillon ajo.

Psikologia shton po ashtu se shpërblimi dhe vlerësimi sa herë që fëmijët ndërmarrin iniciativa janë me rëndësi.

Ndërkohë, nuk i atribuon konfidencës asnjë disavantazh. Për të ka vetëm avantazhe.

“Konfidenca nuk ka asnjë disavantazh. Është tërësisht një sjellje e shëndetshme nëse është e bazuar në faktorë racionalë”, tregon ajo.

Kjo sepse udhëheq më tepër ndaj zgjedhjeve të mira në jetë. Të tilla si karriera, marrëdhëniet apo mënyra si zgjedhim të jetojmë.

Nga ana tjetër, Marra është e mendimit se nuk është e prerë se cilat personalitete të njerëzve priren ndaj konfidencës.

Sepse zhvillohet, nuk lidhet me temperamentin. “Mund të jetë një introvert shumë konfident ose një ekstrovert”.

Pluse dhe minuse

Kurse për psikologen Elona Braçja, konfidenca është plus për disa njerëz, por nganjëherë edhe minus.

Ajo tregon për “Albanian Post” se si qenie njerëzore, kemi një dëshirë që të ndjehemi të rëndësishëm, është e lindur bashkë me ne.

“Shumica e njerëzve konfident e gjejnë veten diku përgjatë spektrit të secilës karakteristikë. Por kur dy njerëz bien në skajet e kundërta të një karakteristike të caktuar, mund të jetë shumë frustruese që ata të bashkëveprojnë me njëri-tjetrin”, thotë ajo.

Konfidentët, sipas psikologes, mësojnë dhe praktikojnë shumë cilësi që u mundësojnë atyre të arrijnë objektivat dhe të marrin respektin e miqve.

“Kur vjen puna te vetëbesimi, një gjë është e pamohueshme: njerëzit konfidentë janë gjithnjë një hap përpara të tjerëve pasi janë frymëzues dhe rezultateve”, veçon Braçja.

Megjithatë, ajo nuk anashkalon faktin se ka një dallim midis vetëbesimit real dhe atij të shtirur, që “shërben si një maskë për pasiguritë e gjithsecilit”.

Psikologia zbulon edhe disa tipare konkrete që personat konfidentë kanë për t’u diferencuar nga të tjerët.

Sipas saj, ata e gjejnë lumturinë brenda vetes, dëgjojnë më shumë se sa flasin dhe nuk kërkojnë me ngulm vëmendjen të tjerëve.

Po ashtu shfrytëzojnë çdo mundësi që u shfaqet, thonë “po” vetëm kur e duan me të vërtetë dhe kërkojnë vazhdimisht arritje, qoftë edhe të vogla.

Braçja thekson gjithashtu se konfidentët gëzojnë për arritjet e të tjerëve dhe nuk kanë frikë të kërkojnë ndihmë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore