Muzikë

Plot 46 vjet që kur Elvis Presley u nda nga jeta


Sot më 16 gusht janë bërë 46 vjet që kur nga jeta u nda këngëtari dhe aktori amerikan me famë botërore, Elvis Presley.

Historia e pabesueshme e jetës së legjendës së muzikës, Elvis Presley filloi kur Elvis Aaron Presley lindi nga prindërit, Vernon dhe Gladys Presley në një shtëpi me dy dhoma në Tupelo të Mississippit, më 8 janar të vitit 1935.

Vëllai i tij binjak, Jessie Garon, lindi i vdekur, duke e lënë Elvisin të rritet si fëmijë i vetëm, transmeton AlbanianPost.

Ai dhe prindërit e tij u transferuan në Memphis të Tennessees në vitin 1948, dhe pesë vjet më vonë, Elvis kreu shkollën e mesme “Humes” atje.

Elvis Presley gjatë periudhës së adoleshencës dhe fëmijërisë.

Zhanret e preferuara muzikore të Elvisit ishin muzika ‘Rock ‘n Roll dhe ajo ‘country’ e asaj kohe, muzika e ungjillit që dëgjonte në kishë dhe në këngët e ungjillit që i këndonte thuajse tërë natën, pa e harruar edhe ‘R&B’ që ai përvetësoi në “Beale Street” si adoleshent i Memphisit.

Në vitin 1954, Elvis filloi karrierën e tij të të kënduarit me labelin legjendar “Sun Records” në Memphis.

Në fund të vitit 1955, kontrata e tij e regjistrimit iu shit RCA Victor, derisa vetëm një vit më vonë ai u bë një sensacion ndërkombëtar.

Elvis Presley.

Me një tingull dhe stil që kombinonte në mënyrë unike ndikimet e tij të ndryshme muzikore dhe mjegullonte e sfidonte barrierat sociale dhe racore të kohës, ai hapi një epokë krejtësisht të re të muzikës dhe kulturës popullore amerikane.

Presley luajti në 33 filma të suksesshëm, bëri histori me paraqitjet e tij televizive dhe mori mirënjohje të madhe përmes koncerteve të tij të shumta, shpeshherë rekorde.

Në nivel global, ai ka shitur mbi një miliard disqe, më shumë se çdo artist tjetër, derisa edhe shitjet e tij amerikane i kanë dhënë atij çmime ari e platini.

Ndër arritjet e tij të shumta ishin 14 nominime për “Grammy” (3 fitore) nga Akademia Kombëtare e Arteve dhe Shkencave të Regjistrimit, çmimi “Grammy” për arritje jetësore që ai mori në moshën 36-vjeçe dhe emërimi i tij një nga dhjetë të rinjtë më të shquar të kombit për vitin 1970 nga Shtetet e Bashkuara.

Pa asnjë nga privilegjet e veçanta që statusi i tij i famshëm mund t’i kishte ofruar, Elvis i shërbeu me nder vendit të tij në ushtrinë amerikane.

Elvis Presley gjatë shërbimit ushtarak në SHBA.

Talenti i tij, pamja e bukur, sensualiteti, karizma dhe sensi për humor e bënë atë të dashur për miliona njerëz, ashtu si edhe përulësia dhe mirësia njerëzore që tregoi gjatë gjithë jetës së tij.

I njohur në mbarë botën me emrin e tij të parë, ai konsiderohet si një nga figurat më të rëndësishme të kulturës popullore të shekullit të njëzetë.

Elvis vdiq në shtëpinë e tij në Memphis më 16 gusht të vitit 1977, aso kohe ai ishte vetëm 42-vjeç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore