Vende

Plazhi i Ksamilit apo Maldivet e Shqipërisë…


Bukuritë e rivierës shqiptare gjithnjë e më tepër po bëjnë dallimin për veçantitë e tyre. Plazhi i Ksamilit renditet ndër më të bukurit në Shqipëri. Uji i pastër kristal dhe gurët që qëndrojnë anash detit e bëjnë të duket këtë vend si parajsë.

Ndër plazhet që mund të vizitohen janë, Stela, Bora Bora, por mund të merrni, gjithashtu, me qira një makinë dhe të zbuloni më shumë plazhe aty pranë, si Plazhin e Pulëbardhës, Plazhin e Krorezës dhe Shpellën e Pëllumbave.

Perëndimi i mrekullueshëm mund të vështrohet nga këtu.

Zbuloni historinë e Parkut Kombëtar të Butrintit

Parku Kombëtar i Butrintit është një ndër destinacionet që nuk duhet ta evitoni. Rrënojat 2500-vjeçare të Butrintit, brenda një parku madhështor të gjelbër e me një hapësirë prej 30 km, janë disa nga më të bukurat e të mirëmbajturat në Evropë. Për këtë arsye, në vitin 1992, Butrinti u shpall si Vend i Trashëgimisë Botërore nga UNESCO dhe kryeson çdo listë ndërkombëtare të atraksioneve që duhen vizituar në Shqipëri.

Përgjatë gjithë kohës, deti i Ksamilit është i mbushur me varka të vogla, plazhistë që zgjedhin për disa orë të pushojnë në ishujt përrallorë – në total janë katër, por spikasin ishujt binjakë të Ksamilit. Këta ishuj quhen kështu për faktin se janë të lidhur njëri me tjetrin përmes një rripi të ngushtë rëre, që të krijon një ndjesi të papërshkrueshme teksa gjendesh në pikëtakimin e dy brigjeve të ndryshme detare. Falë qetësisë perfekte dhe bimësisë së dendur të ishujve, edhe pse fare pranë zonave të banuara të duket sikur je në ndonjë parajsë tropikale prej së cilës nuk do të largohesh.

Hotelet, baret dhe restorantet përgjatë gjithë fshatit të Ksamilit ofrojnë shërbime cilësore e mundësojnë një pushim tejet relaksues e komod. Gatimet e detit plot shije apo koktejet freskuese janë një garanci më tepër për të shijuar si duhet diellin mesdhetar.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore