Lajme

Platformë e përbashkët turistike mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut


Pas takimit që ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Jetësor të Shqipërisë Mirela Kumbaro pati me ministren e Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikimit të Serbisë, Tatjana Matiç, në Beograd, kjo e fundit deklaroi se të dy vendet së bashku me Maqedoninë e Veriut si pjesë e nismës “Ballkani i Hapur” do të krijojnë platformë të përbashkët digjitale të ofertës turistike me këto vende.

Ministrat për Turizëm të Serbisë dhe Shqipërisë paralajmëruan edhe krijimin e qendrës së përbashkët rajonale për zgjidhjen e problemit me mungesë të fuqisë punëtore si dhe projekt të lidhur me digjitalizimin e ofertës turistike.

“Do të dëshironim që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të na bashkohet në këtë projekt, me qëllim që të kemi platformë të përbashkët digjitale në korniza të nismës ‘Ballkani i Hapur’”, tha Matiç.

Ministrja serbe theksoi se kompania ajrore serbe “Air Serbia” planifikon deri në fund të vitit të vendos fluturime të drejtpërdrejta deri në Kinë dhe se paraqitja e përbashkët e këtyre tregjeve dukshëm do ta rrisë numrin e turistëve të huaj.

Kumbaro dhe Matiç u pajtuan se integrimi rajonal është kyç për arritjen e suksesit, veçanërisht në turizëm dhe sektorin tregtar.

Matiç rikujtoi se në vitin 2021 në Shqipëri ka pasur 5,6 milion turisë, prej të cilave pjesë e rëndësishme ka qenë nga Serbia dhe në vitin 2019 dhe 2021 numri i turistëve serb në Shqipëri është rritur me 110%.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore