Plarent Ndreca paraqitet në GJKKO
Rajmonda Basha
17.06.2025 14:51Deputeti i Partisë Socialiste, Plarent Ndreca, është paraqitur në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) këtë të martë të 17 qershorit.
Më 25 tetor 2024, SPAK përfundoi hetimet për Ndrecën, i cili u mor i pandehur për akuzën e shkeljes pabarazisë në tenderë lidhur me procedurat për rikonstruksionin e katër komisariateve në vend.
Shkelja, dyshohet se ka ndodhur në kohën kur Ndreca ishte sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, që drejtohej nga Sandër Lleshaj.
E gjitha nisi me një kallëzim në SPAK nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), i cili dyshonte se zyrtarët kanë lejuar mospërputhje dhe devijime ligjore në garën për ndërhyrje në Komisariatet e Vlorës, Mirditës, Pogradecit dhe atij nr. 4 në Tiranë.
Sipas KLSH-së, gjatë kontrollit u gjetën mospërputhje dhe devijime ligjore, si pasojë e shkeljeve të dispozitave ligjore në procedurat e prokurimit publik.
Gjithashtu ka pasur edhe rritje të paargumentuar të vlerës së kostove të ndërtimit dhe kostove të projektimit në procedurën e prokurimit.
Për çështjen prokurorët kanë marrë në pyetje edhe ish-ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj.
Asokohe Lleshaj shprehej se ishte thirrur në cilësinë e personit që ka dijeni për çështjen e tenderëve nën hetim nga SPAK.
Nga ana tjetër, pak ditë më parë kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi publikoi një dokument ku thotë se deputeti Plarent Ndreca është nën hetim nga SPAK.
Demokrati, referuar deklaratës së Plarent Ndrecës në emisionin “Opinion” të enjten, se nuk është në hetim nga SPAK, thotë se ai është kallëzuar në 2021-shin nga KLSH për shkelje të barazisë në tendera, me dëm miliona euro.
Ndërkaq, opozitari Belind Këlliçi u shpreh se SPAK duhet t’i kërkojë Kuvendit heqjen e imunitetit dhe mandatit për Ndrecën.
Sipas tij, Ndreca ka fshehur pasurinë.
“Siç ju bëmë me dije pak ditë më parë, Partia Demokratike do të bënte publike fakte të rënda penale në lidhje me ushtarin e mirë Plarent Ndreca. Si pjesë e Trupës së Lartë Drejtuese e Shtetit Shqiptar që nga viti 2013, Plarent Ndreca ka detyrimin ligjor që të kryejë deklarimin periodik të pasurisë pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave ILDKPKI. Në mars të vitit 2016, Plarent Ndreca themelon kompaninë Domus Nostra, në bashkëpronësi me një shtetas tjetër, kompani në të cilën zotëronte 49% të aksioneve”.