Kosova

Plani për ristrukturimin e Postës së Kosovës me bord e kryeshefe të përkohshme


Bordi i përkohshëm i Postës së Kosovës që është emëruar nga Qeveria e Kosovës pa konkurs, përveç disa prioriteteve, njërin nga ta e ka vendosur edhe ristrukturimin e stafit.

Nga Posta e Kosovës kanë thënë se, përkundër që janë bord i përkohshëm, korniza ligjore ua lejon ristrukturimin e stafit.

“Sipas kornizës ligjore që rregullon këtë fushë përgjegjësit e Bordit të Drejtorëve dhe Kryeshefit Ekzekutiv të Ndërmarrjes Publike, nuk dallon nga përgjegjësit e Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve apo U.D. Kryeshefit Ekzekutiv, janë të njëjta”.

“Nuk ka ndonjë nen të ndonjë ligji që kufizon fushëveprimin e BPD-së apo U.D. Kryeshefit Ekzekutiv”, thuhet nga Posta e Kosovës në një përgjigje për Albanian Post.

Sipas Zyrës së Komunikimit në Postën e Kosovës “Ristrukturimi është nevojë e ndërmarrjes”.

Por, inicimi i ristrukturimit të stafit nuk mund të bëhet nga një bord i përkohshëm dhe as nga një Ushtruese e Detyrës së kryeshefes.

Këtë e argumenton ish-kryeshefi i kësaj ndërmarrje publike, Xhevdet Smakiqi, që tani është avokat.

Sipas Smakiqit, ristrukturimi i një Ndërmarrje Publike të nivelit të I, siç është Posta e Kosovës, si vendim dhe si proces ka karakter strategjik.

“Andaj nga pikëpamja profesionale dhe përgjegjësia ligjore nuk ju takon të ndërmarrin këtë vendim as iniciojnë procesin e ristrukturimit Bordet e Përkohshme të emëruara pa konkurs nga Qeveria si aksionar dhe as të propozohen nga një Ushtruese Detyre e kryeshefes”.

“Por këtë proces këto vendime dhe këto iniciativa i takojnë bordit të rregullt të drejtorëve të zgjedhur me konkurs pasi që ai bord të ketë zgjedhur Kryshefin Ekzekutiv me mandat të rregullt mbi 3 vjeçar dhe zyrtarët tjerë të lartë të NP sipas nenin 21 të Ligjit të Ndërmarrjeve Publike”, ka thënë Smakiqi për Albanian Post.

Smakiqi thotë se ristrukturimi është proces i rëndësishëm dhe merr kohë, andaj nuk mund të bëhet nga një bord që ka mandat 6 mujor.

“Bordit të përkohshëm, i emëruar pa konkurs i skadon mandati me 27 nëntor 2021, pra më pak se 15 ditë pune. Prandaj shikuar mandatin e tyre 6 mujor përveç shkarkim- ngarkimit të paligjshëm të zyrtarëve të lartë që i kanë shkaktuar Postës së Kosovës konteste gjyqësore qindra mijëra euro, nuk kanë asnjë rezultat, përkundrazi kanë dëmtuar me jo kompetencën dhe amatorizmin e tyre duke zbatuar urdhra politik të partisë në pushtet”.

Ish-kryeshefi ekzekutiv i Postës së Kosovës, Xhevdet Smakiqi

Proces politik po e konsideron ristrukturimin Smakiqi, që dikur drejtonte Postën.

“Pra çdo iniciativë, vendim apo proces i ristrukturimit brenda Postës së Kosovës bëhet për motive politike, hakmarrje dhe largim të një apo disa drejtorëve me përvojë për të vendosur militantët e partisë në pushtet”.

Smakiqi nuk është kundër ristrukturimit, “si vendim”, duke e cilësuar si “proces të nevojshëm”.

“Ristrukturimi ka qenë dhe mbetet një objektiv që Posta e Kosovës duhet ta kryej në mënyrë efikase, funksionale dhe me më pak shpenzime operative, duke krijuar departamente të reja inovative dhe fuzionuar drejtori dhe departamente klasike të panevojshme që tërheqin pozita të shumta menaxheriale dhe me zero aktivitet”, ka thënë Smakiqi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore