Pajisje

Planet metaverse të Facebook-ut etiketohen si “distopike”


Një nga investitorët më të hershëm të Facebook-ut i ka etiketuar planet e gjigantit të mediave sociale drejt metaverse-it si “distopike”.

Kjo pasi Meta, siç njihet tashmë Facebook, po investon miliarda në projekt.

Roger McNamee, ka thënë për të përditshmen “BBC” se plani i kompanisë “është një ide e keqe dhe fakti që të gjithë jemi ulur dhe e shikojmë këtë sikur është normale duhet të na alarmojë të gjithëve”.

Chris Cox, shefi i produkteve të Meta-s, u ka thënë të pranishmëve në Samitin e Web-it në Lisbonë se ideja do ta bënte “internetin më pak të sheshtë”.

Dhe se do të ishte shumë më mirë se video-konferenca si një hapësirë ​​për takime.

Duke folur në të njëjtën ngjarje me të, McNamee është treguar shumë skeptik.

“Facebook-u nuk duhet të lejohet të krijojë një metaverse distopik”, ka ravijëzuar ai.

Termi metaverse u krijua në vitet 1990 në një roman fantastiko-shkencor, Snow Crash, i cili shërbeu si një pasues i realitetit virtual të internetit.

Ndërkaq, McNamee u kthye në një kritik të Facebook-ut pasi nisi të shihte më shumë keqinformime në platformë. Ai ka treguar se nuk ishte i bindur se metaverse-i do të ishte i sigurt në duart e shefit ekzekutiv, Mark Zuckerberg.

“Nuk ka asnjë mënyrë që një rregullator ose politikëbërës të lejojë Facebook-un të operojë në metaverse ose të hyjë në kriptovaluta”, ka vijuar ai.

“Facebook-u duhet ta kishte humbur të drejtën për të bërë zgjedhjet e veta. Një rregullator duhet të jetë aty për të dhënë miratimin paraprak për çdo gjë që ata bëjnë. Sasia e dëmit që ata kanë bërë është e pallogaritshme”, ka shtuar kritiku.

Jeta reale

Duke folur për Meta-n, Cox ka parashtruar një pikëpamje të ndryshme se ideja e metaverse-it është hapi tjetër për internetin në tërësi, jo vetëm për kompaninë që ai përfaqëson.

“Shpesh teknologjia fillon në versione me rezolucion më të ulët të asaj që bëhet”, ka thënë ai.

Ndërkaq, reagimet nga përdoruesit e kufjeve të realitetit virtual të Oculus të Meta-s ishin se teknologjia mund të ishte “tepër argëtuese”.

Cox ka zbuluar ndër të tjera se metaverse përfshinte organizimin e takimeve dhe argëtimin për stafin.

“Të gjithë janë të rraskapitur nga video-konferencat. Ju nuk e dini se kush po shikon kë, të gjithë po ndërpresin vazhdimisht njëri-tjetrin”, ka thënë ai.

Kurse takimet në metaverse do të ishin shumë më të mira, me Meta-n që është duke punuar se si të përmirësojë “audion dhe gjuhën e trupit” në realitetin virtual.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore