Kosova

Plagosja e dy grave në Fushë Kosovë, Govori: Janë jashtë rrezikut për jetë, do t’i nënshtrohen operimit


QKUK

Dy gratë që mbetën të plagosura të shtunën në rrugën “Besa – Besë” në Fushë Kosovë – njëra 64 e tjetra 44 vjeçare – janë jashtë rrezikut për jetë, por me lëndime serioze.

Këtë e ka konfirmuar mjeku kujdestar në Qendren Klinike Universitare të Kosovës, Ejup Govori, i cili tha për gazetën Nacionale se njëra është plagosur në ekstremitete të sipërme ndërsa tjetra është me lëndime në stomak.

“Bëhet fjalë për dy të plagosura, paciente të gjinisë femërore, viti i lindjes 1959 dhe 1979. Relacioni është nënë dhe bijë. Gjendja e tyre është stabile. Gruaja më e moshuar ka lëndime më serioze në bark dhe ekstremitetet e mëposhtme. Ajo do t’i nënshtrohet një operacioni. Si nga ana e kirurgut abdominal edhe ortopedi. Në anën e djathtë ka një frakturë të ekstremitetit të poshtëm”, tha Govori.

Ndërkaq, pacientja 44 vjeçare ka dy plagë në dy duart e saja, njoftoi doktori.

“Pacientja tjetër, 1979 viti i lindjes, plagët i ka në ekstremitetet e sipërme. Ka dy plagë në dy duart. Për momentin është stabile. Është ba imazheria dhe pritet të kryhet konsulta nga ortopedi dhe kirurgu vaskular”.

Ndryshe, lajmin për plagosjen e dyfishtë në Fushë-Kosovë për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Bazuar në të dhënat fillestare dyshohet se nga një person i dyshuar, me armë zjarri janë plagosur dy persona (të dyja të gjinisë femërore), të cilat janë dërguar për tretman mjekësor”, tha Ahmeti.

Ahmeti shtoi se rasti ka ndodhur rreth orës 11:45 dhe mënjëherë Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për hetimin e rrethanave dhe motiveve që çuan deri te plagosja e dyfishtë.

“Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për arrestimin e personit të dyshuar (i cili është identifikuar) si dhe ndriçimin e plotë të rastit”, tha Ahmeti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore