Lajme

Pjesëtari i ekipit të shpëtimit: Kemi një borxh ndaj Turqisë që u desh të shpaguhej


Ilustrim

Kosova iu bashkua përpjekjeve të shpëtimit pas tërmeteve të fuqishme të javës së kaluar në Turqi si “shpagim” për ndihmën e Ankarasë në të kaluarën, tha Ilir Gaxha nga Shoqata e Kosovës e Kërkim-Shpëtimit, transmeton agjencia turke e lajme.

Gaxha tha se së bashku me grupin e tij prej gjashtë vetash, ndihmoi në përpjekjet e shpëtimit gjatë gjithë kohës të qëndrimit në zonën e goditur nga tërmeti dhe se po kthehen në atdhe pas një operacioni të suksesshëm.

“Ne u ndiem tmerrësisht kur e pamë. Kjo është arsyeja pse duhej të vinim dhe të jepnim kontributin tonë. Turqia në të kaluarën e ka ndihmuar shumë vendin tim, Kosovën. Dhe kjo është mënyra jonë për të shpaguar atë që e konsiderojmë si borxh”, tha ai.

“Është e trishtueshme të shohësh gjithë qytetin të shkatërruar”, tha Gaxha, teksa vazhdoi tutje rrëfimin e tij për familjet e viktimave që kishin mbetur nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara.

Duke vënë në dukje se ekipi i tij kishte nxjerrë më shumë se 20 kufoma dhe kishte ndaluar numërimin në një moment të caktuar, ai tha se kanë nxjerrë nëntë trupa të pajetë vetëm të martën.

“Ishte e trishtueshme të shihje, për shembull, në një thes gjumi, një nënë dhe baba që kishin mbuluar dy fëmijët dhe të katër ishin të vdekur nga tërmeti së bashku. Ishte një histori e tmerrshme”, rrëfen Gaxha për AA.

Në lidhje me shpëtimin e 3-vjeçares javën e kaluar, ai tha se vajza u nxorr nga një ekip tjetër dhe fillimisht mendohej se ishte e vdekur, por më pas njëri nga ushtarët turq kishte vërejtur se vogëlushja kishte lot në sy.

“Ne aplikuam CPR (Reanimin kardiopulmonar) për rreth 25 deri në 30 minuta derisa erdhi ambulanca turke. Kishte disa vajza të reja të cilat ishin në panik kur panë fëmijën e vogël”, tha ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore