Sport

Pjesë e rekordeve Guinness, pushton majen “Mont Blanc”


Në 4.810 metra lartësi mbidetare në Mount Blanc

“Ëndrra mu bë realitet”.

Kështu e përshrkuan Besnik Reka, alpinisti me një veshkë nga Ferizaj, pushtimin e njërës nga bjeshkët e cila njihet si më markantet në Evropën Perëndimore “Mont Blanc”, në Francë.

“Mali i Bardhë” me 4.810 metra lartësi mbidetare është çatia e Evropës, por karakterizohet me një reliev të ndryshueshëm, me shkëmbinj të mëdhenj, borë e akullnaja të mëdha të cilat për t’u kalaur kërkojnë përgatitje të mirë fizike, psikologjike por më e rëndësishmja, edhe teknike.

“Nuk di si ta përshkruaj nga emocionet”, tregon Reka në një prononcim për Albanian Post, pasi u kthye nga kjo ekspeditë në Francë e cila, atij dhe 27 alpinistve të tjerë të grupit, u zgjati tetë ditë.

“Për mua ka qenë një emocion i veçantë, në fund unë përfundova me lot, duke qarë nga gëzimi”, thotë Reka që për dallim nga pjesa tjetër e grupit, sfidat i kishte më të mëdha, meqë jeton me një veshkë, të cilën ja ka dhuruar bashkëshortja vite më parë.

“Fizikisht nuk pata problem, por për shkak të gjendjes time shëndetësore unë kisha nevoja më specifike sesa alpinistët tjerë në grup. Unë pata nevojë për më shumë oksigjen, përshembull”, tregon Reka.

“Deri te strehimorja e fundit në 3 mijë e 400 metra lartësi mbidetare nuk pata problem, por më pas sa më shumë që ngjitesha më e vështirë më bëhej. Pata nevojë për ndihmë dhe guidat e Klubit Alpin Prishtina ishin të përgaditur me të gjitha gjërat, edhe me oksigjen rezervë, për të cilin unë pata nevojë në një moment”, thotë Reka.

Refugre Vallot, 3.400 m, Mount Blanc

“Për disa momente nuk shihja dritë, mu errësuan sytë dhe nuk mund të koncentrohesha. Por pas intervenimit të guidave, u këndella. Oksigjeni mi hapi sytë dhe e tejkaloa krizën”, kujton ai.

“Në fakt nuk u frigova shumë, sepse me vete kishim edhe mjekun, por fal Zotit nuk pata nevojë për ndihëmn e tij”, rrëfen Reka.

Rekord i ri në Librin e Recordeve Botërore Guinness

Besnik Reka në 4.810 metra lartësi mbidetare në Mount Blanc

Me aq sa ka lexuar, Besnik Reka pretendon se para tij nuk kishte asnjë alpnist që kishte shkelur Mount Blanc-un duke pasur vetëm një veshkë në trup.

Kështu ai synonte të shënojë rekord të ri në librin e famshëm të rekordeve botërore Guinness, duke u bërë i pari alpinist që shkel këtë bjeshkë me këto kushte shëndetësore.

“Të gjithë ngjitjen e kanë filmuar guidat e grupit, ato do t’i marr dhe bashkë me fotografi dhe dokumente përcjellëse do t’i dorëzoj në –librin e rekordeve Guinness, sepse e di që jam  i pari dhe dua ta shënoj këtë arritje”, ka thënë Besnik Reka për Albanian Post.

Para disa muajsh, kur Reka po përgatitej për këtë sfidë, Albanian Post kishte realizuar një intervistë me të.

Ekspedita e Klubit Alpin Prshtina në Mount Blanc

28 alpinistët kosovarë të cilët pushtuan Mount Blanc-un, nën guidimin e Klubit Alpin Prishtina, gusht 2022

28 alpnistë nga qytete të ndryshme të Kosovës nisën rrugëtimin e tyre për të pushtuar Mount Blanc-un i cili njihet si maja më e lartë e Alpeve dhe Evropës Perëndimore me 4 mijë e 810 metra lartësi mbidetare. Është mali i dytë më i shquar në Evropë, pas malit Elbrus.

Në orët e para të mëngjesit të tre gushtit grupi arriti në maje, duke u bërë kështu grupi i parë me pjesmarrje kaq masive i ngjitur në këtë bjeshkë, përgjatë viti 2022, sipas të dhënave të Federatës Sportive të Francës.

Më gjashtë gusht grupi përfundoi rrugën e kthimit.

Alpinistët Kosovarë tregojnë për Albanian Post se krahas herëve të kaluara, kësaj here numri i alpinistve në ngjitje ishte shumë i vogël.

Kjo për shkak se rruga e vjetër e cila të qonte në pjesën e fundit të bjeshkës ishte shembur nga ndryshimet klimatike, ndërsa rruga tjetër, e vetmja e mbetur që të qonte në fund të këtij rrugëtimi ishte shumë e rrezikshme, pasi që duhej ecur mbi akullnaja të cilat ishin shkëputur nga toka dhe rreziku që ato të shembeshin ishte shumë i pranishëm.

Klubi Alpin Prishtina ka vite që e organizon këtë ecje në Mount Blanc.

Ka guida e alpinistë të këtij grupi të cilët e kanë shkelur këtë bjeshkë për herë të tretë tashmë.

E veçanta e këtij Klubi është se në çdo ecje e cila karakterizohet si e vështirë sheh të pranishme edhe vajza.

Për shkak të karakterstikave specifike që ka kjo ngjitje, Klubi u angazhua që të stërvis dhe të ndihmoj tri vajza për të arritur majen.

Tri vajzat shqiptare që ngjitën Mount Blanc në gusht të vitit 2022,(nga e majta) Elvra Ibrahimi, Arbenita Pajaziti dhe Shpresa Ismajli

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore