Shqipëria

Pjesa më e madhe e vatrave të zjarrit në vend është shuar


Pjesa më e madhe e vatrave të zjarrit në territorin e Shqipërisë është shuar.

Kështu ka bërë me dije Niko Peleshi, ministër i Mbrojtjes, në një postim në Facebook mbi situatën e zjarreve në orët e fundit.

“Pas një pune të gjatë të trupave të emergjencave civile në bashkëpunim me efektivë të FA, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile është bërë e mundur shuarja e pjesës më të madhe të vatrave”, ka thënë ai.

Ai ka bërë me dije po ashtu se në qarkun e Korçës ka një vatër aktive zjarri, në fshatin Arrëz, të bashkisë Devoll, e cila u riaktivizua pas izolimit të dy ditëve më parë. “Po punohet në terren për fikjen e tij”.

Sakaq, puna vijon edhe në malin Stilos, në bashkinë Konispol dhe fshatin Grazhdan, të bashkisë Finiq ku efektivë zjarrfikës po punojnë për shuarjen e vatrave të zjarreve.

Në fshatin Jarua, në bashkinë e Fierit zjarri është shuar dhe po bëhet kontrolli i zonës.

Ndërkohë, puna ka vijuar deri në shuarjen përfundimtare të zjarreve në njësinë administrative Vergo të bashkisë Delvinë, në njësinë administrative Lopes të bashkisë Tepelenë, në Semens të Lushnjës, në fshatin Gur i Zi të bashkisë Elbasan dhe në lagjen Çlirim, bashkia Berat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore