Shqipëria

Pisonero për Albanian Post: Von der Leyen viziton edhe Shqipërinë brenda shtatorit


Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të vizitojë edhe Shqipërinë në harkun kohor 28-30 shtator 2021.

Lajmin e ka konfirmuar për Albanian Post, zëdhënësja e shtypit për zgjerimin dhe fqinjësinë e mirë pranë Bashkimit Evropian, Ana Pisonero.

Zëdhënësja e shtypit për zgjerimin dhe fqinjësinë e mirë pranë Bashkimit Evropian, Ana Pisonero

Në fakt, të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, do të vizitohen nga von der Leyen gjatë harkut të vizitës së saj treditore.

Një agjendë e saktë ende nuk është paraqitur, por do të bëhet me dije në ditët në vijim.

Vizita e presidentes së KE-së në rajon vjen një javë përpara Samitit të përbashkët midis BE-së dhe gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor. Ai do të mbahet në Brdo.

Vetë von der Leyen ka theksuar gjatë fjalimit të saj të përvitshëm për bilancin e punës së bërë nga Këshilli, se ka një rëndësi shumë të madhe që BE-ja të tregojë atashimin që ka karshi rajonit të Ballkanit.

Ursula von der Leyen gjatë fjalimit të saj të përvitshëm për bilancin e punës së bërë nga Këshilli Evropian

Në Samit, ndërkaq, do të lindë edhe mundësia për të rikonfirmuar qasjen evropiane ndaj zgjerimit.

Po ashtu, edhe një perspektivë e re për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Implementimi i planit ekonomik të investimeve, do të jetë po ashtu në qendër të vëmendjes së Samitit.

Kjo vizitë e Presidentes së KE-së, do të vijë fill pas asaj të kancelares gjermane, Angela Merkel, më 14 shtator në Shqipëri.

Kancelarja dha një mesazh të fortë përpara largimit të saj. Ajo ia bëri të qartë unionit se tashmë nuk duhet të ketë më kushte të tjera për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Çfarë diskutoi tjetër von der Leyen?

Gjatë fjalës së saj, ajo bëri me dije se KE-ja do të ketë një rishikim të rregullave të buxhetit brenda disa javësh.

Kjo me synimin për të rënë dakord për një reformë deri në vitin 2023.

Rregullat, të cilat kufizojnë huamarrjen e qeverisë për të mbështetur vlerën e euros, janë pezulluar që nga viti 2020. Kjo, për t’i dhënë qeverive liri veprimi për të luftuar rënien ekonomike të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.

Sipas von der Leyen, BE-ja do të duhet të fillojë një agjendë të re globale me SHBA-të, pasi bashkimi bën fuqinë.

https://twitter.com/vonderleyen/status/1438036532011704320

“Bashkimi Evropian dhe SHBA-të do të jenë gjithmonë më të fortë së bashku”, vazhdoi ajo.

Vaksinimi

“Ritmi i vaksinimit kundër COVID-19 duhet të përshpejtohet në të gjithë globin. Kjo, për të shmangur një pandemi të të pa vaksinuarve”, tha presidentja e KE-së.

Ajo njoftoi edhe për një donacion prej 200 milionë dozash deri në mes të vitit të ardhshëm.

Von der Leyen shprehu shqetësimin e saj për ndryshimin e normave të vaksinimit midis shteteve anëtare të BE-së.

Digjitalizimi

Presidentja von der Leyen tha gjithashtu se e ardhmja e Bashkimit Evropian varet nga niveli i aftësive të tij teknologjike.

Ajo u tha eurodeputetëve se BE-ja do të dyfishojë fondet e tij ndërkombëtare për të mbrojtur natyrën.

“Unë jam krenar të njoftoj sot se Bashkimi Evropian do të dyfishojë financimin e tij të jashtëm për biodiversitetin”, u shpreh von der Leyen.

Ish-ministrja gjermane e Mbrojtjes ka vënë trajtimin e ndryshimeve klimatike në krye të agjendës së saj.

Agjenda e gjelbër e Bashkimit Evropian

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore