Milan-i është duke kaluar në një krizë të madhe, teksa sot (e diele) regjistruan një tjetër humbje turpëruese, duke u mposhtur në shtëpi nga Sassuolo me rezultat 2:5.
Vetëm një fitore ndaj Salernitana-s dhe dy barazime ndaj Romës e Lecce-s, ndërsa së fundi numërojnë tre humb je radhazi.
Derbi, Lazio dhe së fundi Sassuolo, plot 12 gola të pësuar, një skuadër në kaos total dhe këtë e pranon edhe trajneri i kuqezinjve, Stefano Pioli, që e ka të vështirë të komentojë disfatën e fundit në shtëpi.
“Është një moment shumë i vështirë, me skuadrën që ka dëshirën dhe sjelljen e duhur, por nuk arrin të reagojë. Kemi humbur soliditetin në mbrojtje, por mbi të gjitha forcën e reagimit”, u shpreh trajneri kuqezi.
Javën e ardhshme është derbi ndaj Inter-it dhe Pioli do të duhet të bëjë llogaritë me mungesat, por në të njëjtën kohë paralajmëron ndryshime, si në skemë, ashtu edhe në emra lojtarësh.
“Është shokuese të mendosh që do të vazhdojmë kështu. Është e qartë që për të ndryshuar rezultatet, duhet të ndryshosh diçka në emra e skemë”, thekson tekniku italian.
“Ky rreshtim nuk na doli mirë, por tani nuk po marrim përgjigjet e duhura, ndaj duhet të gjejmë zgjidhje. Premtoj se do të punojmë gjithë javën, për të fituar në derbi”, deklaroi Pioli.
Në fund tekniku kuqezi pranoi se mbrojtja e titullit është mision i pamundur.
“Për titullin nuk mendojmë më, pasi është e pamundur të rikthehemi në krye. Duhet të mendojmë për zonën Champions, pasi është objektiv i detyruar për ne”, tha mes tjerash Stefano Pioli.
Kujtojmë që me këtë humbje tani kuqezinjtë kanë zbritur në vendin e katërt me 38 pikë, aq sa ka edhe Atalanta e vendit të tretë.