
Rafael Leao nuk pati paraqitje aspak të mirë në ndeshjen e së dielës që ekipi i tij, Milan-i, e humbi me rezultat 2:1 ndaj Torinos në Serie A.
Trajneri i kuqezinjve, Stefano Pioli, e largoi atë nga loja në fillim të pjesës së dytë, por tani thotë se ai do të rikthehet më i fortë se asnjëherë.
Në konferencën për media para ndeshjes së rëndësishme të Ligës së Kampionëve ndaj Salzburg-ut, Pioli tha se “do ta shohim Leao-n e vërtetë”.
“Rafael është një lojtar i madh dhe nuk kam dyshime që ai do të jetë në formë të mirë ndaj Salzburg-ut”, tha Pioli në konferencën për media.
“Ai ishte i mirë në stërvitje, dhe i fokusuar në punën e tij. Kemi analizuar ndeshjen kundër Torinos dhe nëse kundërshtarët presin që do të kemi përsëri aso paraqitje, atëherë ata do të gabohen”, shtoi Pioli.
“Nuk kam nevojë t’i motivoj lojtarët e mi, ata e dinë rëndësinë e kësaj ndeshjeje”, tha trajneri italian në një konferencë për media.
Kujtojmë që të mërkurën kuqezinjtë do të laujnë ndeshjen e fundit të grupeve në Ligën e Kampionëve, ku do të jenë nikoqir i Salzburg-ut.
Skuadra e Stefano Pioli-t i ka në dispozicion dy rezultate për të vazhduar tutje në fazën e eliminimit direkt në Champions.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com