Sport

Pilotit rus, të shkarkuar nga Haas, i sekuestrohet pasuria marramendëse


Piloti i Haas në Formula 1, Nikita Mazepin, i cili u shkarkua nga skuadra e tij për shkak të sanksioneve në lidhje me sportistët rusë, pas shpërthimit të luftës në Ukrainë i është sekuestruar pasuria.

Sipas vlerësimeve paraprake, thuhet se vlera e pasurisë së sekuestruar shkon në mbi 100 milionë paund.

Mazepin-it, i cili është djali i Dmitry, një oligark rus shumë i afërt me Vladimir Putin-in, dhe që zotëron kompaninë “Uralkali”, iu bllokua pasuria nga autoritetet italiane.

Të hënën Policia Financiare në Itali sekuestroi vilën luksoze të Mazepin-it në bregun verilindor të ishullit të Sardenjës.

Prona ishte në emër të ish-pilotit 23-vjeçar të Formula 1 dhe babait të tij.

Vila, e quajtur “Rocky Ram”, u ble në vitin 2012 nga një redaktor i një gazete italiane.

Ajo ka në përbërje 25 dhoma, kopshte luksoze dhe një pishinë të madhe. E vendosur në një majë shkëmbi, vila ka pamje nga Mesdheu.

Sipas Policisë Financiare Italiane, vila është në pronësi të një kompanie me qendër në Qipro e quajtur “Ferimod Investments”.

Kompania u krijua mbi një dekadë më parë, por përfituesi përfundimtar është Mazepin.

Babai i Mazepin, Dmitry, është përshkruar në listën e sanksioneve të Bashkimit Evropian si “një anëtar i rrethit më të ngushtë të Putin-it”.

Ai gjithashtu mori pjesë në një takim me Presidentin rus më 24 shkurt, ditën kur filloi pushtimi i Ukrainës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore