Lajme

Pika zero – takimi ku vijëzohet trajektorja drejt progresit, ose dështimit


Ilustrim

Ndërtesa ku ishin zhvilluar negociatat për Marrëveshjen e Prespës – ujdia e cila e ka mbyllur kontestin e më shumë se dy dekadave mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë për çështjen e emrit të Maqedonisë – përsëri do të jetë nikoqire e një takimi që thënë me fjalët e Josep Borrell, përbën një peshë të madhe “për historinë evropiane”.

Marrëveshja e Prespës u cilësua si një ndër marrëveshjet më të rëndësishme në historinë e Maqedonisë së Veriut, përkatësisht si dokumenti që ka hapur rrugën e perspektivës euroatlantike të vendit, pikërisht me këtë synim Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç, do të takohen në Ohër të Maqedonisë së Veriut për të dytën herë me radhë në më pak se një muaj për të negociuar planin e zbatimit të Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit të Raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila u pranua të paktën gojarisht më 27 shkurt në Bruksel nga të dyja palët.

Propozimi franko-gjerman mbi të cilin u dizajnua kjo Marrëveshje është formuluar sipas parimit “askush fitues, askush humbës” meqë propozimi detyron palët, në këtë rast, Kosovën dhe Serbinë, të fitojnë diçka në këmbim të humbjes së diçkaje tjetër.

Dokumenti i përbërë prej 11 nenesh – nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë, që Qeveria e Kosovës ka thënë se duhet të jetë në qendër të një marrëveshjeje eventuale për normalizim të raporteve.

Megjithatë, në nenin 2 të Marrëveshjes thuhet se palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës.

Marrëveshja, po ashtu, përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përshirë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, për të cilin Qeveria e Kosovës është/ishte kategorikisht kundër.

Ujdia parasheh gjithashtu edhe përkushtimin e palëve për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.

Thënë ndryshe Kosova me disa dispozita të marrëveshjes fiton e me disa humbë. I njëjti parim vlen edhe për Serbinë.

Por, si mund të përfundojë takimi?

Ani pse Kosova dhe Serbia po ballafaqohen me një trysni të madhe nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, takimi i së shtunës sipas hulumtuesit në organizatën e pavarur International Crisis Group, Marko Prelec, mund të përfundojë në çdo mënyrë.

Kryeministri i Kosovës dhe Presidenti i Serbisë, beson Prelec, kanë përpara tyre dy opsione, jo edhe aq fitimprurës.

“Njëri ose ndoshta të dy mund të konkludojnë në fund të ditës se më mirë do të jetë të pranojnë goditjet diplomatike dhe të presin për atë që shpresojnë se do të ishte një marrëveshje më e mirë nesër. Ose ndoshta ata të dy do të përpiqen, por në fund nuk do të arrijnë të bien dakord për kalendarin e zbatimit, për të cilin bëhet fjalë në Aneks”, thotë Prelec fillimisht për Albanian Post.

Megjithatë, shton ai, Kurti dhe Vuçiç, të shtunën mund të hedhin një hap të madh duke përfunduar kështu marrëdhëniet e tyre armiqësore dhe nisin rrugën drejt nëse jo miqësisë, atëherë të paktën një periudhe jetese krah për krah si fqinjë.

“Kjo do të ishte një gjë e madhe”, shton ai.

Se Kurti dhe Vuçiç të shtunën në Ohër duhet të bëjnë një hap para e thotë edhe ligjëruesi universitar në “London School of Economics”, James Ker-Lindsay.

Edhe pse Serbia ka qartësisht rezerva për marrëveshjen, Vuçiç, thotë profesori britanik, duhet të pranojë se Kosovës është një betejë e pafitueshme.

“Vuçiç e di se në fund të fundit është në interesin e Serbisë arritja e një marrëveshjeje. Çështja e Kosovës i ka bërë dëm të vërtet vendit”, ka thënë Ker-Lindsay për AP.

Në anën tjetër, Kurti, sipas Lindsay, duhet të kuptojë se Kosova meriton anëtarësimin e plotë në organizatat ndërkombëtare.

“Kanë kaluar pesëmbëdhjetë vjet që kur Kosova shpalli pavarësinë. Ajo duhet t’i bashkohet OKB-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare. Kjo marrëveshje nuk do ta zgjidhë problemin ende. Por, shpresojmë se do të jetë një hap tjetër përpara”, ka shtuar ai.

Marrëveshja, që Kosova dhe Serbia e pranuan më 27 shkurt, shihet si një marrëveshje e përkohshme e cila do të çojë në atë përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Diplomatët perëndimorë marrëveshjen e cilësojnë si kontrata më e mirë që aktualisht mund të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë.

Shefi i Qeverisë së Kosovës ka qenë i gatshëm ta nënshkruajë Marrëveshjen më 27 shkurt, ndërsa në Ohër ka deklaruar se do të udhëtojë “me vullnet të mirë, qëllime të mira dhe besim të mirë” e gatishmëri për t’u pajtuar me planin e zbatimit.

Ndryshe nga Kurti, Vuçiç, ka shprehur rezerva për Marrëveshjen në fjalë, duke thënë se nuk i shkon në mendje të nënshkruajë “kapitullimin e Serbisë” dhe se në takimin e Ohrit nuk planifikon të nënshkruajë asgjë.

Çfarë saktësisht do të ndodhë në Ohër?

Albanian Post – përmes burimeve diplomatike të përfshira në organizimin e agjendës për takimin e 18 shkurtit mes Josep Borrell, Miroslav Lajçak e liderëve të Kosovës dhe Serbisë – ka kuptuar se takimi në qytetin ikonik maqedonas është vetëm për mbylljen përfundimtare të rundave negociuese për këtë fazë dhe pajtimin e përgjithshëm për pikat e implementimit të Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit të Raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Fillimisht Borrell e Lajçak takohen me Kurtin dhe Vuçiç-in në takime të ndara.

Këto takime nevojiten për konkretizim të pikave që më pas shërbejnë si hartë në takimin trepalësh mes dy diplomatëve të BE-së dhe Kurtit e Vuçiç-it.

Takimet paraprake janë praktikë e vendosur nga ndërmjetësuesja e parë, paraardhësja e Borrellit, baronesha Catherine Ashton.

Këtu u tregohet liderëve se kush do flas i pari dhe kush i dyti. Në cilat anë do të ulën, sa minuta kanë për fjalën hyrëse dhe për çka konkretisht do të flasin.

Liderët në këto takime tregojnë gjithashtu pikat e tyre konkrete dhe më pas arrihet pajtim se çka duhet të flitet e çka jo. E gjitha bëhet që të mos krijohen befasi në takim, por secili paraprakisht ta dijë rolin e vetë.

Më pas fillon takimi trilateral.

Albanian Post nga burimet ka kuptuar se takimi i Ohrit nuk do të prezantojë kurrfarë befasie. Palët do të pajtohen për udhërrëfyesin që parasheh zbatimin e pikave.

Pas takimit del Borrell dhe në një replikë të asaj që ndodhi në Bruksel me 27 shkurt, raporton për takimin dhe shpallë pajtimin formal të palëve.

Nënshkrim nuk do të ketë, sepse përtej simbolikës që prezanton Ohri për këtë pajtim ballkanik, rëndësia e ceremonisë së momentit është rezervuar për një kryeqytet tjetër evropian.

Parisi apo Berlini është një pyetje që akoma shtrohet, por në “Pole Position” mbetet Parisi, pikërisht për shkak të ndërlidhjes historike që ka me një proces tjetër negociuese, atë të Rambouillet.

Në organizimin e këtij takimi, në praninë e shumë liderëve botërorë dhe të gjithë liderëve ballkanikë do të bëhet nënshkrimi tashmë i arritur më parë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore