Lajme

Pika e fundit e Aneksit e obligon Kosovën ta zbatojë secilën Marrëveshje që është arritur në dialog nga viti 2011


Ilustrim/Albanian Post

Marrëveshja për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe Aneksi për rrugën e zbatimit të kësaj marrëveshjeje, automatikisht e obligon Qeverinë e Kosovës që t’i përmbushë të gjitha marrëveshjet që janë nënshkruar që nga viti 2011 në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Megjithëse praktikat në të kaluarën tregojnë se disa marrëveshje që janë nënshkruar në Bruksel dhe jo vetëm, nuk janë zbatuar asnjëherë, as në Kosovë e as në Serbi, ndërmjetësit evropianë të dialogut garantojnë se kësaj radhe do të ketë zbatim të plotë të marrëveshjes.

“Kosova dhe Serbia pranojnë se çdo mosrespektim i obligimeve të tyre nga Marrëveshja, Aneksi ose Marrëveshjet e kaluara të dialogut mund të kenë pasoja të drejtpërdrejta negative për proceset e tyre përkatëse të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe ndihmën financiare që marrin nga BE-ja”.

Kështu thuhet në pikën e fundit të Aneksit i cili është publikuar nga Bashkimi Evropian dhe për të cilin u pajtuan të shtunën në Ohër kryeministri Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Më duhet ta pranoj se fillimisht ne propozuam një aneks më ambicioz dhe më të detajuar, fatkeqësisht palët nuk arritën dot një marrëveshje në këtë propozim të detajuar”, tha Josep Borrell, përfaqësues i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, në konferencën për media pas negocimit 12 orësh.

Aneksi i dakorduar në Ohër të Maqedonisë së Veriut u publikua më pas me 12 pika, por Bashkimi Evropian – siç e tha shkurt Borrell – kishte propozuar aneksin edhe me afate kohore të zbatimit të neneve veç e veç dhe afatin e përgjithshëm ku do të mund të konkludohej se marrëveshja u implementua në tërësi.

Tash kryeministri Kurti duhet t’i përmbushë të gjitha obligimet që dalin nga marrëveshjet e nënshkruara nga paraardhësit e tij, respektivisht nga Edita Tahiri në cilësinë e kryenegociatores dhe nga Hashimi Thaçi e Isa Mustafa në cilësinë e shefit të qeverisë.

E tillë është edhe ajo për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, që ishte paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë dhe e ratifikuar në Kuvendin e Kosovës, që njihet si Marrëveshja e Parë e cila ka ende fuqinë ligjore të një Marrëveshje Ndërkombëtare.

Kryeministri Kurti, pastaj edhe presidentja Vjosa Osmani, deklarativisht i kanë sfiduar këto zotime, duke i cilësuar si të dëmshme për interesat e Kosovës dhe që e cënojnë rendin kushtetues të saj. Arsyeja që kanë dhënë ka qenë: “S’e kam nënshkruar unë dhe as s’e zbatoj unë”.

Duke qenë se Kosova nuk është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ajo u detyrohet vullnetshëm konventave ndërkombëtare dhe marrëveshjeve ndërkombëtare që i ka bërë ligje të brendshme me ratifikim, konform Paketës Ahtisaari me të cilën erdhi edhe deri te shpallja a pavarësisë më 2008.

Marrëveshja në Ohër nuk është nënshkruar dhe perëndimorët, siç e tha në një deklaratë edhe i dërguari i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, as nuk e kanë kërkuar nënshkrimin, sepse me versionin final të aneksit një nga elementet kryesore është sqarimi se “Marrëveshja është obligative, me ose pa nënshkrim”.

Ekskluzive/Versioni final i Aneksit e paraqet marrëveshjen obligative edhe pa nënshkrim, gjithçka të përfundojë në mars 2024 – këta janë hapat e mëtejmë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore