Lajme

Pfizer do t’i dhurojë të gjitha fitimet ruse, Ukrainës


Kompania gjigande farmaceutike “Pfizer”, do të dhurojë të gjitha fitimet nga filiali i tij rus për të ndihmuar Ukrainën dhe do të sigurojë vetëm një furnizim humanitar me ilaçe për Rusinë, njoftoi kompania të hënën.

Kështu, Pfizer i bashkohet dhjetëra firmave shumëkombëshe që ndryshojnë ose ndërpresin lidhjet me Rusinë për pushtimin e saj në Ukrainë.

Ilaçet janë të përjashtuara nga sanksionet ndërkombëtare, por Pfizer bëri me dije se konsideronte përfundimin vullnetar të dërgesës së barnave në Rusi për pushtimin e saj në Ukrainë, përpara se të vendoste që një gjë e tillë do të rezultonte në vuajtje dhe humbje të mundshme jetësh.

Megjithatë, kompania njoftoi se kjo nuk do të thotë “të bësh biznes si zakonisht në Rusi” dhe nuk do të fillojë më provat klinike në Rusi ose të rekrutojë pacientë të rinj për provat ekzistuese.

Ndërsa nuk zotëron ose operon vende prodhimi në Rusi, Pfizer lajmëroi se do të ndërpresë të gjitha investimet e planifikuara me furnitorët vendas për të ndërtuar kapacitetin prodhues në vend.

Vendimet do të sigurojnë që “çdo dollar fitimi që rrjedh nga Rusia do të forcojë Ukrainën dhe popullin e saj” pasi ata mbrojnë veten nga një “sulm i paprovokuar dhe i pajustifikuar”, shkruhej në një deklaratë të Pfizer.

Dhjetëra firma ndërkombëtare kanë vepruar shpejt për t’u distancuar nga Rusia pas pushtimit të saj në Ukrainë, duke përfshirë tërheqjen dhe mbylljen e investimeve, mbylljen e dyqaneve, vonimin e lëshimeve dhe bllokimin e aksesit në produkte.

Ata që përpiqen të vazhdojnë me biznesin si zakonisht kanë rrezikuar reagimin e investitorëve, konsumatorëve dhe politikanëve. Shumë, duke përfshirë gjigantin e energjisë “Shell” dhe zinxhirin e modës “Uniqlo”, kanë ndryshuar vendimet fillestare për t’u bashkuar me të tjerët që dalin nga vendi. Prokurorët rusë thuhet se kanë lëshuar paralajmërime për kompanitë perëndimore në Rusi, duke kërcënuar se do të konfiskojnë asetet e atyre që tërhiqen dhe do të arrestojnë liderët e korporatave që kritikojnë qeverinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore