Lajme

Pezullohet Shefi i policisë Uvalde – mes zemërimit – për mosveprimin ndaj sulmuesit


Shefi i policisë për shkollën fillore në Teksas, ku mbetën të vrarë 19 fëmijë dhe dy mësues nga një person i armatosur, është pezulluar mes zemërimit për oficerët që nuk ndërhynë më shpejt që të ndalnin sulmuesin.

Nën drejtimin e Pete Arredondo, shefit të policisë për distriktin shkollor Uvalde, oficerët u ndalën për rreth një orë e 15 minuta jashtë klasave, ku një 18-vjeçar, me një AR-15 kishte hapur zjarr ndaj fëmijëve dhe mësuesve.

Mes hetimeve të vazhdueshme federale dhe shtetërore mbi sjelljen e policisë gjatë masakrës së 24 majit 2022 në shkollën fillore të Uvalde’s Robb, mbikëqyrësi i qarkut Hal Harrell njoftoi se Arredondo do të pezullohej.

“Sot, unë jam ende pa detaje të hetimeve që po kryhen nga agjenci të ndryshme”, tha Harrell. “Për shkak të mungesës së qartësisë që mbetet dhe kohës së panjohur se kur do të dalin rezultatet e hetimeve, kam marrë vendimin për të pezulluar shefin Arredondo”.

Në një seancë dëgjimore shtetërore që hetonte të shtënat, Steve McCraw, shefi i sigurisë publike të Teksasit, tha se përgjigjja e policisë ishte një “dështim i rëndë” dhe se oficerët mund ta kishin ndaluar sulmuesin tre minuta pasi mbërritën në vendngjarje.

“E vetmja gjë që ndaloi një korridor të oficerëve të përkushtuar të hynte në dhomat 111 dhe 112 ishte komandanti në vendngjarje, i cili zgjodhi ta vendoste jetën e oficerëve para jetës së fëmijëve”, tha McCraw.

Qortimi i ashpër i McCraw për Arredondon erdhi pas disa javësh deklaratash kontradiktore dhe mashtruese nga policia dhe zyrtarët lokalë rreth përgjigjes së oficerëve ndaj të shtënave.

Këtë javë, Austin American-Statesman dhe KVUE-TV zbuluan se oficerët ishin të pajisur me fuqinë e zjarrit dhe pajisjet e nevojshme për të thyer dyert e klasës dhe për të ndaluar të armatosurin – e transkriptet dhe të dhënat e marra nga Texas Tribune zbuluan se disa oficerë po nxitonin të futeshin në klasa, pavarësisht urdhrave për të qëndruar prapa.

Gjatë masakrës, prindërit iu lutën oficerëve të lëviznin dhe thirrën përforcime për ndihmë, ndërsa oficerët prisnin në korridor.

Në dritën e deklaratave kontradiktore nga agjencitë e zbatimit të ligjit, senatori i shtetit të Teksasit, Roland Gutierrez, të mërkurën paditi departamentin e sigurisë publike si një mënyrë për ta detyruar atë të publikojë të dhënat që detajojnë përgjigjen e oficerëve ndaj të shtënave.

“Në vazhdën e tragjedisë së pakuptimtë, njerëzit e Uvalde dhe Teksas kanë kërkuar përgjigje nga qeveria e tyre”, tha Gutierrez në padi.

“Deri më sot, ata janë përballur me gënjeshtra, keqdeklarime dhe ndërrime faji”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore