Lajme

Pezullohet greva e administratës së Gjykatave Themelore


Greva e punonjësve të administratës së Gjykatave Themelore të Kosovës

Pas 18 ditësh grevë, punonjësit e administratës së Gjykatave Themelore të Kosovës, e kanë pezulluar  atë.

Arsyeja e pezullimit të grevës sipas këshilli grevist është se atyre u është ofruar një marrëveshje për përmbushjen e kërkesave të tyre.

“Greva në Pallatin e Drejtësisë e filluar me datë 1 mars 2022, pezullohet për një kohë të pa caktuar”, thuhet në pikën e parë të komunikatës nga Shoqata Sindikale e Administratës së Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku thuhet tutje se Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka marrë për sipër se të gjitha kërkesat e tyre do të adresohen në institucionet relevante, përcjellë “Betimi për Drejtësi”.

“Hierarkia e KGJK-së, u zotua se të gjitha kërkesat tona do të adresohen në institucionet relevante të vendit dhe do të kërkohen që të përmbushen që të gjitha”, thuhet në komunikatë.

Greva e punonjëseve të administratës së gjykatave e nisur më 1 mars fillimisht në Gjykatën Themelore në Prishtinë ishte zgjeruar edhe në gjykatat e tjera, duke bërë që shumë raste gjyqësore të mos mbahen.

Gjatë këtyre 18 ditë greve janë zhvilluar vetëm seancat që konsiderohen urgjente si rastet e dhunës në familje, rastet me paraburgim dhe ekzekutimet sipas urdhëresave dhe pranimi i parashtresave të ankesave me afat.

Kërkesat e punonjësve të administratave të gjykatave janë koncept-dokumenti për stafin e administratës së gjykatave dhe prokurorive në nivel të vendit në kuadër të shërbyesve civil, ose Ligji për Administratën e Gjykatave dhe Prokurorive, përafrimi i pagave të stafit të administratave të gjykatave dhe prokurorive në raport me pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe pagesa e shujtës ditore në vlerë prej tri euro si dhe transporti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore