Shqipëria

Petro Gjikuria do të jetë kandidati i opozitës në Himarë


Opozita shqiptare ka caktuar kandidatin Petro Gjikuria, si garues përballë Vangjel Tavos, në zgjedhjet e pjesshme të Himarës, të cilat mbahen më 4 gusht.

Gjikuria vjen nga bota e biznesit dhe ai është një shtetas shqiptaro-amerikan, investitor i njohur në zonën e jugut të Shqipërisë.

Më 8 korrik, Kryesia e Partisë Socialiste nxorri Vangjel Tavon si kandidaturë të socialistëve për zgjedhjet në Himarë.

“Vjen si një figurë e njohur politike, njohës i asaj zone, i asaj krahine. Garat elektorale e kanë përgatitur atë që të jetë përfaqësuese e atij komuniteti. 4 gushti është shumë afër. Do të kemi një garë të qetë elektorale. Shkojmë për të pasur një fushatë të qetë”, u shpreh Blendi Klosi.

Zgjedhjet e Himarës do të mbahen më 4 gusht, pas dekretimit të presidentit Bajram Begaj.

Kjo, pasi mandati i kryetarit të zgjedhur të Bashkisë Himarë, Fredi Beleri, u shpall i pavlefshëm nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pasi ai është dënuar së fundmi me vendim të formës së prerë për korrupsion aktiv në zgjedhje.

Më parë, ishte Këshilli i Ministrave, ai i cili njoftoi Begajn për vakancën e krijuar dhe i kërkoi kreut të shtetit që të dekretonte një datë zgjedhore.

Begaj më pas thirri në konsultë Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, për t’u informuar lidhur me kapacitetet dhe gatishmërinë e institucionit menaxhues të zgjedhjeve, për zhvillimin e zgjedhjeve në këtë bashki, brenda kornizës kalendarike të Kodit Zgjedhor.

Pas kësaj konsulte, presidenti dekretoi datën 4 gusht 2024 për zhvillimin e zgjedhjeve për kryetar bashkie në Bashkinë Himarë, si alternativa më e mirë që pajton nevojën për përgatitjen dhe zhvillimin e një fushate të rregullt zgjedhore dhe nevojën për përgatitjen optimale të administratës zgjedhore, me kushtet, rrethanat dhe ngarkesën që sjell sezoni turistik për bashkinë Himarë, si njësi bregdetare e qeverisjes vendore.

Emri i Tavos pritej gjerësisht, pas raportimeve të mëparshme për zgjedhjet në Himarë.

Tavo, eksponent i njohur i Lëvizjes Socialiste për Integrim (sot Partia e Lirisë), ish-ministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, prej një dite edhe Prefekt i Qarkut Vlorë.

Pjesë e dikurshme e kabinetit qeveritar Rama 1, sot disi më i tërhequr nga jeta aktive politike e vendit.

Një figurë e pranuar, por mbi të gjitha pjesë e minoritetit grek në Shqipëri…jo atij minoriteti përfaqësuar nga figura të diskutueshme të dikurshme si Vasil Bollani, apo sot Fredi Beleri, të cilët kanë krijuar gjithnjë ndasi e kontroversion në publik.

Tavo është ekzaktësisht e kundërta e Fredi Belerit, fituesit të garës bashkiake të Himarës, sot i dënuar me vendim gjykate për korrupsion aktiv në votime.

Tavo është ndër ata minoritarë, të cilët ekuilibrin e kanë edhe te bindjet personale – ai nderon flamurin shqiptar, nderon ditët historike të pavarësisë dhe çlirimit të Shqipërisë, nderon figurat më të shquara të kombit, përfshi fjala bie edhe studiuesin e lartësuesin më të madh të gjuhës shqipe, Eqrem Çabejn.

Ai këtë e bën dhe e bën publikisht, ndaj dhe gjerësisht gëzon respektin popullor, por edhe atë të palëve.

Historikun e vet politik në fakt, Tavo e ka nisur pikërisht me Partinë Socialiste, por ai iu bashkua më tej fraksionit të Ilir Metës fillimisht, i cili më pas përfundoi të ishte Lëvizja Socialiste për Integrim.

Tavo mund të cilësohet edhe si një person që nisi traditën e fitoreve socialiste në Gjirokastër, pasi në vitin 1996, ai fitoi zgjedhjet aty dhe mori për herë të parë mandatin e deputetit.

Në vitin 2010 më tej, e la PS-në për t’iu bashkuar LSI-së, u bë edhe nënkryetar parlamenti dhe ministër mandej.

Fakti është gjithsesi që pas prishjes së kontratës mes PS-së dhe LSI-së, nga ana e Tavos nuk ka pasur asnjëherë deklarata denigruese kundrejt palës tjetër të majtë.

As nga Partia Demokratike, qoftë kur ai ka qenë kundërshtar, apo edhe në aleancë, nuk ka pasur ndonjëherë deklarata, të cilat e kanë ulur figurën e Tavos dhe profili i tij i mbajtur i ulët, reflekton se është një kandidat i pakontestueshëm për të qenë në krye të Himarës.

Në fillim të vitit, pati madje një artikull në mediat greke, ku Tavo përshkruhej si një person që mund të zinte vendin e Belerit. Të qenit minoritar, ishte një shtytje plus.

Ndërsa, Tavo, afërmendsh është figurë, e cila e ka kaluar filtrin edhe të politikës në Greqi, pasi dihet afërsia e medias Kathimerini me qeverinë e Kyriakos Mitsotakis dhe një artikull i tillë nuk mund të ketë dalë jashtë një konsultimi me faktorët politikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore