Kosova

Petritsch s’sheh rrezik nga “vetëmenaxhimi” për serbët: Kemi parë shembuj ku gjërat kanë funksionuar, e kam në mendje Tirolin Jugor


Diplomati austriak, Wolfgang Petritsch, njëherësh ish i dërguari i Bashkimit Evropian për Kosovën dhe ish-Përfaqësues i Lartë për Bosnje-Hercegovinën, thotë se suksesi i arritur në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në mes të Kosovës dhe Serbisë, për Marrëveshjen drejt normalizimit, do të varet nga zbatimi ose jo i saj.

“Mendoj se zbatimi është çështja kryesore”, tha ai në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

“Ne e dimë nga e kaluara, ndonjëherë ato që njëra palë është përpjekur t’i zbatojë, ana tjetër nuk e ka bërë, dhe anasjelltas. Kështu që, unë mendoj se tani ajo që është e rëndësishme është që negociatorët e Bashkimit Evropian të mbajnë këtë momentum të progresit të arritur, progresit thelbësor, por gjithsesi se kjo duhet të pasohet me takime të mëtejshme”.

Petritsch shtoi se takimi i Ohrit mund të konsiderohet “një lloj progresi drejt normalizimit” të raporteve, pavarësisht se palët nuk nënshkruan tekstin e ofruar nga ndërmjetësuesit e BE-së.

Më i rëndësishmi, sipas tij, është fakti se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tregoi “hapje dhe fleksibilitet” në fillimin e shpejtë të një procesi për ofrimin e një mekanizimi të “vetëmenaxhimit” të komunitetit serb në Kosovë, për çka diplomati austriak nuk sheh rrezik të funksionalizohet.

“Unë besoj se kemi parë shumë shembuj në histori ku gjërat kanë funksionuar, dhe po funksionojnë ende. Si një austriak, e kam në mendje Tirolin Jugor, ku para shumë vitesh, në vitet e 70-ta, u arrit një marrëveshje, e cila madje për një kohë përfundoi në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, dhe tani, nëse kthehemi pas, 30 apo 40 vjet, mund të themi se ai mekanizëm funksionon për të dyja palët [Austrinë dhe Italinë]”.

“Por, dua të them një gjë, mekanizmi funksionon ndërmjet Italisë dhe Austrisë, dhe atë kryesisht për shkak se të dyja vendet janë në Bashkimin Evropian. Por edhe [në Ohër] kishte një marrëveshje të caktuar për hapjen e kapitujve, ose për t’iu dhënë sinjal të dyja palëve, në rastin e Serbisë se negociatat e anëtarësimit do të vazhdojnë, dhe në rastin e Kosovës se ju jeni duke iu afruar negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian”.

Ndryshe, Martin Klatt, drejtor i grupit për studimin e minoritetit danezo-gjerman në Qendrën Evropiane për Çështjet e Minoriteteve (ECMI), në një intervistë për Albanian Post, ka shtjelluar termin “nivel i përshtatshëm i vetëmenaxhimit” për të cilin janë pajtuar të shtunën kryeministri Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë.

“’I duhur/përshtatshëm”’ është një term që i mungon kuptimi ose thelbi dhe varet nga interpretimi politik. Mund të variojë nga autonomia kulturore në autonomi territoriale, por nuk nënkupton të drejtën për këtë të fundit”, tha profesor Klatt.

Çka nënkupton “vetëmenaxhimi” për serbët në Kosovë – autonomi territoriale apo kuluturore?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore