Lajme

Petkoviq: Mbështetja e serbëve në Kosovë ndaj Rada Trajkoviç është “gabim statistikor”


Kryetarja e Lëvizjes Evropiane të Serbëve nga Kosova, Rada Trajkoviç, ka reaguar në Twitter, pasi Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha të dielën se “përfaqësuesit e serbëve nga Kosova nuk janë ata që marrin 0.62% ose ata që marrin 2% të votave nga ta, por ata që marrin 95%”.

Trajkoviç shkroi se “mbase ai nuk mund t’i blejë 95% të njerëzve, por ai mund t’i frikësojë ata”.

“Është e njëjta gjë në Korenë e Veriut. Dhe ju mund t’i ktheni ato në instrumente të mbijetesës suaj politike në mënyrë që të mund të ndryshoni votat e tyre në Kosovë si fotografi me listat e pakicave të tjera nën kontrollin tuaj”, shkroi Trajkoviç.

Pas kësaj cicërime të Trajkoviç, reagoi Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Ai i shkroi se mbështetja e serbëve në Kosovë ndaj Trajkoviç është “gabim statistikor”.

“Krahasuar me zgjedhjet e 2019, mbështetja e saj është edhe më e ulët në vitin 2021, ndërsa Lista Serbe mori 96,14% të votave serbe. Më vjen keq, Rado, ju nuk do të jeni në gjendje ta bëni një Shqipëri të madhe me Kurtin. Populli dhe historia fituan”, shkroi Petkoviq.

“Ju nuk do të jeni në gjendje ta bëni një Shqipëri të madhe me Kurtin”.

Ish-deputetja e Kosovës në një intervistë të dhënë për Albanian Post, ka thënë se kreu i shtetit serb, po abuzon me votat e serbëve duke i detyruar të votojnë njerëzit e komuniteteve tjera.

“Është mjaft tragjike që abuzimi i vullnetit zgjedhor nga Lista Serbe që ka ndodhur brenda komunitetit serb për vite me radhë, tani është shtrirë edhe në komunitetet e tjera të pakicave”, ka thënë në një intervistë për Albanian Post, kryetarja e Lëvizjes Evropiane të Serbëve nga Kosova, Rada Trajkoviç.

Ajo ka deklaruar se Lista Serbe është “dorë e zgjatur” e Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore