Petkoviçit i ndalohet hyrja në Kosovë për Vidovdan

SHFLETO

Petar Petkoviç

 

Armat Matoshi
26.06.2024 12:32
Loading Icons...

Drejtorit të të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, nuk i është lejuar vizita në Kosovë, në prag të festës së Shën Vidit, që kremtohet nga serbët çdo 28 qershor në Gazimestan – rreth 10 kilometra larg Prishtinës – njoftoi zyra serbe nëpërmjet një komunikate për shtyp.

“Petkoviçit që një vit e gjysmë është duke iu ndaluar udhëtimi në Kosovë dhe kremtimi i festave të mëdha me serbët dhe t’u jap atyre mbështetje për shkak të ndalesave të jashtëligjshme nga Prishtina”, njoftoi zyra serbe në një komunikatë, duke pretenduar se vizita e Petkoviçit u paralajmërua “në përputhje me të gjitha marrëveshjet për lëvizje të lirë” në kuadër të dialogut.

Dita e Shën Vidit apo “Vidovdani” ndërlidhet me përvjetorin e “Betejës së Kosovës”, që historia serbe e cilëson “fitore shpirtërore”, pavarësisht një humbjeje të madhe kundër ushtrisë turke. Vitin e kaluar, qytetarë serbë nga i gjithë rajoni u mblodhën në Mitrovicë të Veriut dhe Graçanicë, ku u paraqit edhe një “dokument” i pagëzuar me emrin “Deklarata e Vidovdanit”.

Në të kaluarën, pjesëmarrja e zyrtarëve serbe në ceremoni fetare në Kosovë është shoqëruar me fjalor të papranueshëm, duke nxitur urrejtje dhe përçarje. Megjithatë, autoritetet në Kosovë, deri më tash, nuk kanë dhënë ndonjë njoftim zyrtar për arsyet e ndalimit. Në maj të këtij viti, gjithashtu, kreut të Kishës Ortodokse Serbe (KOS) nuk i është lejuar hyrja në Kosovë.