Lajme

Petkoviç: Të ndalohen protestat bllokuese në Serbi, pasi që Kurti i përkrah ato


Ilustrim

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrës për Kosovë dhe njëherit anëtari i Kryesisë i Partisë Progresiste Serbe (SNS­), Petar Petkoviç, ka thënë që të ndalen protestat në Serbi pasi që ato po përkrahen nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Ai vuri në dukje se, “për ta bërë absurdin edhe më të madh”, dikush doli dhe bllokoi rrugën për në Kosovë, përkatësisht në pikë kalimin kufitar Merdarë, duke bërë gjoja në emër të Serbisë dhe serbëve të njëjtën gjë që kanë bërë shqiptarë në anën tjetër të vendkalimit. Kjo sipas tij dëmton Serbinë dhe serbët.

“Ky është një tjetër tregues se Prishtina dhe Kurti mbështesin bllokimet e rrugëve dhe mbështesin pjesën e opozitës serbe me të cilën do të pajtoheshin pothuajse nesër që Beogradi të njohë të ashtuquajturën ‘Kosovë’ të pavarur”, ka thënë Petkoviç.

Sipas tij, ata që nuk dinin të ndërtonin rrugë, sot i bashkohen atyre që bllokojnë rrugët dhe kjo situatë tragjikomike dëshmon për “përmasat e lakmisë, të eturve për pushtet dhe papërgjegjshmërisë së opozitës serbe të maskuar si mbrojtës të mjedisit”.

Duke toleruar disa ekstremistë, Serbia ka treguar se sa demokratike është në të vërtetë, por pakica nuk duhet të mendojë se do të jetë në gjendje të lexojë përgjithmonë të gjithë vendin dhe të mbajë peng të gjithë qytetarët e saj, shtoi ai.

Rreth 50 persona – serbë nga Kosova të Lëvizjes për Besim, Shpresë dhe Dashuri – kanë bllokuar pikëkalimin kufitar në Merdare këtë të shtunë në mesditë.

“Fiks në orën 12 e kemi bllokuar pikën në Merdare, pasi ne nuk do ta japim kurrë Kosovën”, ka thënë Nemanja Saroviç, udhëheqës i kësaj lëvizje.

Ai i ka thënë agjencisë serbe të lajmeve Beta, se qytetarët kanë bllokuar kufirin si kundërshtim ndaj ligjit të ri për referendum, por gjithashtu për shkak të politikave të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, në raport me Kosovën dhe implementimin e marrëveshjeve të Brukselit, të cilat ai i konsideron të gabuara.

“Shqiptarët po e bëjnë të ashtuquajturën Shqipërinë e Madhe dhe qeveria jonë po rri e heshtur”, ka thënë ai.

Gjithashtu, ka shtuar se bashkë me qytetarë ka bllokuar trafikun nga të dy drejtimet dhe se “protestën do ta vazhdojmë derisa të largohet nga pushteti Aleksandër Vuçiç”.

Qytetarët u mblodhën në Merdare duke mbajtur banera në duar ku thuhej: “Mini-Shengeni Shqipëria e Madhe”.

Nga policia e Kosovës, zëdhënësi Daut Hoxha, ka thënë për Albanian Post se për momentin nuk ka informacione rreth zhvillimeve atje.

Daut Hoxha

Ndërsa, Besim Hoti, zëdhënës i policisë për Veriun, nuk ka qenë i qasshëm.

Protestat të cilat u zhvilluan të shtunën paralelisht në shumë qytete serbe janë mbështetur edhe nga partitë opozitare serbe si shenjë e pakënaqësive për miratimin e referendumit për ndryshime kushtetuese dhe dëmet ekologjike dhe shpronësime.

Sipas raportimeve, të mediumeve të lira serbe, ka edhe të lënduar në protesta.

Gjithashtu, nëpër rrjetet sociale janë shfaqur pamje të të lënduarve.

Miroslav Aleksiç nga Partia Popullore ka shkruar në llogarinë e tij në Twitter se nënkoloneli në pension Zoran Kardasheviç është sulmuar në Stara Pazova “nga partia e progresistëve që donin të çanin bllokadën”.

Predrag Vukoviç Çune, anëtar i SNS-së i punësuar në administratën komunale, e ka sulmuar fizikisht Kardasheviçin, pohon Aleksiç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore