Lajme

Petkov: Shkupi duhet të bëjë zgjedhjen për të ardhmen e tij


“Shkupi tani duhet të bëjë zgjedhjen për të ardhmen e tij”.

Kështu ka deklaruar në një intervistë me Radion Kombëtare Bullgare (BNR), kryeministri i Bullgarisë, Kiril Pektov.

Reagimi i tij vjen pasi Parlamenti bullgar miratoi të premten një dokument të njohur në opinion si “propozimi francez”, për të zhbllokuar rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut.

Petkov ravijëzoi se, pasi Bullgaria miratoi propozimin, tani u takon autoriteteve të Shkupit të vendosin për të ardhmen e tyre.

Sipas tij, nëse Maqedonia e Veriut bie dakord me propozimin e Parisit, do të duhet të përfshijë bullgarët në Kushtetutë përpara se të fillojë procesin e negociatave me BE-në.

“Kemi mekanizma të qartë kontrolli për gjuhën e urrejtjes dhe diskriminimin. Kemi përcaktime shumë të qarta të fakteve historike dhe edukimit në shkollat ​​në Maqedoninë e Veriut”.

Parlamenti i Bullgarisë votoi të premten e 24 qershorit për heqjen e vetos, që ka bllokuar prej kohësh negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Kjo, duke ngjallur shpresa të reja se blloku tani mund të vazhdojë me planet e tij të zgjerimit në Ballkanin Perëndimor në mes të luftës së Rusisë në Ukrainë.

Franca, e cila aktualisht mban presidencën e radhës të BE-së, kishte bërë përpjekjet e fundit këtë javë për të zgjidhur një mosmarrëveshje etnike dhe kulturore midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut që ishte burimi i vetos.

Qeveria bullgare kishte insistuar që Maqedonia e Veriut të pranonte zyrtarisht se gjuha e saj kishte rrënjë bullgare.

Më tej, të pranonte në kushtetutën e saj një pakicë bullgare dhe të anulonte “gjuhën e urrejtjes” kundër Bullgarisë.

Autoritetet maqedonase u shprehën se identiteti dhe gjuha nuk ishin të hapura për diskutim.

Sipas propozimit francez, Maqedonia e Veriut duhet të pranojë në preambulën e Kushtetutës se bullgarët janë një nga etnitë konstituive të vendit.

Maqedonia e Veriut e bëri të qartë në një samit të enjten të liderëve të BE-së se propozimi francez ishte “i papranueshëm” në formën e tij aktuale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore