Lajme

Pesë të dyshuar arrestohen për grabitje në Viti


Policia e Kosovës ka njoftuar se pesë persona janë arrestuar të hënën në Viti, nën dyshimin për grabitje dhe vjedhje të rëndë.

“Arrestimi i të dyshuarve është bërë si rezultat i kontrollit me leje të prokurorit të shtetit në gjashtë lokacione të ndryshme në komunën e Vitisë. Me këtë rast është arritur të sigurohen prova se të njëjtit në bashkëveprim kanë qenë të përfshirë në një rast ‘Vjedhje e rëndë’ i ndodhur me datën 01.06.2023 dhe në një rast ‘Grabitje’ i ndodhur me datën 05.10.2023 në një qendër tregtare në qytetin e Vitisë”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, të dyshuarit në këto raste kishin arritur që të vidhnin dhe grabisnin shuma të konsiderueshme të parave të gatshme.

Ndërsa pas arrestimit, të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës. Prokurori i shtetit ka lëshuar masë të ndalimit për 48 orë ndaj tyre.

Ndryshe të hënën, nga një muaj paraburgim u është caktuar nga Gjykata Themelore në Prizren dy të dyshuarve për përfshirje në grabitjen në një argjendari në Suharekë më 22 nëntor.

Grupi në përbërje prej katër personave dyshohet se kreu vjedhje mbi 250 mijë euro.

Burime të Albanian Post kanë thënë se dyshohet për një grup të përbërë nga ish-të burgosur me të kaluar kriminale të cilët janë liruar rishtazi nga burgjet e Kosovës dhe një pjesë tjetër nga persona që kanë marrë pjesë në luftëra në shtete të tjera jashtë Kosovës.

Kush është grupi i organizuar që vodhi arin në Suharekë?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore