Lajme

PESË PYETJE PËR TË DYJA QEVERITË – TË KOSOVËS DHE GJERMANISË


Olaf Scholz dhe Albin Kurti

I impresionuar me solidaritetin e mediave në Kosovë dhe ngazëllimin e disave pas publikimit të një “demanti”, për publikimin e dokumentit që prezanton kornizën e re për dialogun nga Albanian Post, shtroj këto pyetje për qeverinë shumë të respektuar gjermane dhe qeverinë tonë në Prishtinë.

1. Demanti juaj vlen vetëm për publikimin e Albanian Post apo edhe për ato që deklaroi dje Presidenti serb Aleksandër Vuçiç?. Lexojeni me kujdes deklaratën e tij, theksin te katër faqe, te përmbajtja etj. Demanti nuk është i plotë, nëse nuk demantohet edhe fjala e Vuçiç-it. Ai tha edhe se e ka diskutuar me Lajçak-un këtë dokument, kur do të mohohet edhe kjo bisedë? Më tregoni, kur do ta bëni këtë demant, sepse përndryshe fjalët tuaja revolucionare (shpikje, qëllime të paqarta etj) më lënë të besoj që deklaratat tuaja i shkruan dikush nga zyra e Vetëvendosjes.

2. Ambasada dhe qeveria jonë le të na tregojnë kush është diplomati gjerman, i afërt me procesin, që, disa javë më parë, ka takuar ekipin kosovar të negociatave dhe i ka pyetur, çfarë mund të jetë e pranueshme për Kosovën, nëse BE përfundimisht nuk mund ta bindë Serbinë që ta njohë Kosovën? Pastaj, le të tregojnë, nëse është e vërtetë, që nga pala kosovare është thënë që kjo do të ishte e pranueshme vetëm nëse në pako përfshihet edhe njohja nga Spanja, Qipro, Rumania, Greqia dhe Sllovakia. Miku im, Sadri Ramabaja, gjatë debatit në T7, e përmendi një diplomat gjerman që merret me këso letra. Nuk e di nëse është i njëjti, por e di që qeveria jonë dhe ambasada gjermane dinë më shumë se Sadriu.

3. Kryeministri Kurti, i cili në pushtet ka ardhur me premtimin e transparencës, duhet të na tregojë, së paku, në vija të trasha për çfarë po bisedohet. A është temë diskutimi njohja e tërthortë? Sa bazohet ky model në modelin e dy Gjermanive, etj? Ndjehem shumë keq pse duhet t’i them këto fjalë, por Presidenti Vucic po tregohet më i guximshëm. Ai së paku po flet, po jep indicie, një fjalë këtu, një fjalë atje, por popullin e vet nuk po e lë në errësirë. Po flet edhe Hill-i, madje edhe ish-ambasadori Ischinger. Albin, nuk bën terr në çdo dimension të jetës sonë, mjafton kriza energjetike. Shprehu! Trego! Nuk jemi gjithmonë dhe tërë kohën kundër teje.

4. Nëse publiku, nëpërmjet një debati përmbajtësor nuk bëhet pjesë e procesit, si mendoni që do ta bindni popullin që ta përkrahë zgjidhjen tuaj, çfarëdo qoftë ajo? Të dashura dy qeveri, mediat kurrë nuk janë armiku. Nuk dua të besoj që jeni infektuar edhe ju nga Putinizmi.

5. Dhe pyetja e fundit. Këto 48 orët e fundit e pamë që në Beograd zyrtarët e huaj e inkurajuan një debat esencial, strategjik, diskutim rreth boshtit të çështjeve. Pse në Beograd lejoni, mirëpritni dhe inkurajoni diskutime përmbajtësore, ndërkaq neve në Prishtinë na e mohoni këtë gjë? A do të thotë kjo që ju palë e konsideroni vetëm Serbinë? A do të thotë kjo që ju mendoni që populli i Kosovës pranon çdo gjë vetëm nëse për këtë punë pajtohet Albin Kurti?

Tani për tani, kaq!

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore