Kosova

Pesë komuna nënshkruajnë marrëveshje për menaxhimin e mbeturinave dhe qeneve endacakë


Foto nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Si zgjidhje tjetër për fushat e menaxhimit të mbeturinave, qeneve endacakë dhe transportit publik pesë kryetarë të komunave e kanë parë edhe nënshkrimin e një marrëveshje për t’u përmirësuar në këto drejtime.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Bashkëpunimi mes Prishtinës dhe pesë komunave tjera për të mirën e qytetarëve tanë, u vulos sot me nënshkrimin e marrëveshjes me kryetarët e Podujevës, z.Shpejtim Bulliqi, atë të Lipjanit, z.Imri Ahmeti, z.Xhafer Gashi të Obiliqit dhe nënkryetarët e Fushë Kosovës, z.Besnik F Osmani dhe z. Leutrim Ajeti të Graçanicës”, ka shkruar Rama.

Ndërsa është thënë se përmes kësaj marrëveshje do të bëhet menaxhimi i këtyre problematikave që i shoqërojnë komunat.

“Përmes kësaj marrëveshjeje ndërkomunale ne do të bashkërendojmë aktivitetet tona në fushat e menaxhimit të mbeturinave, qeneve endacakë dhe transportit publik, me anë të cilave do të krijohen lehtësira për mirëqenien e qytetarëve të kryeqytetit dhe këtyre komunave”.

Prishtina vazhdon të ballafaqohet me dy probleme kryesore menaxhimin e mbeturinave dhe qenëve endacakë.

Në mars, Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi”, kishte rifilluar punën me grumbullimin dhe largimin e mbeturinave në Komunën e Prishtinës.

Kjo pasi që për dy ditë me radhë mbeturinat kanë mbetur nëpër kontinerë, pasi që nuk janë larguar nga kompania përgjegjëse “Pastrimi”, që punëtoret e kësaj kompanie që nga dita e hënë janë futur në grevë, në mënyrë që të plotësohen kërkesat e tyre për rritje pagash.

Ka kohë që Kosova është duke u ballafaquar me problemin e qeneve endacakë të cilët bredhin rrugëve, disa prej tyre edhe sulmojnë qytetarët – me ndërrimin e pushteteve lokale vazhdimisht janë propozuar zgjidhje të ndryshme për këtë problem.

Deri tani, asnjë nuk kishte funksionuar.

Përkundrazi numri i tyre vetëm sa kishte shkuar në rritje.

Njëri ndër premtimet e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, për zgjidhjen e këtij problemi ishte ndërtimi i një strehimore.

Por, përveç kësaj Komuna e Prishtinës kishte miratuar një plan tjetër përmes së cilit parashikon që numri i qeneve endacakë të zvogëlohet.

Për secilin person që adapton një qen endacak është thënë se do të ketë fitim 50 euro në muaj.

Ky vendim aq sa ishte parë si “atraktiv” për aktivistët e të drejtave të kafshëve ishin shfaqur edhe një sërë problemesh që kanë të bëjnë me manipulime, mashtrime për kujdestarinë që mund të bëhet me qenët  endacak.

Në Prishtinë janë rreth 3 mijë qen endacakë, kurse në mbarë Kosovën thuhet se numri i tyre arrin në 200 mijë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore