Lajme

Peruja në kaos vendos karantinën, pas vdekjes së 18 protestuesve


Të paktën 18 persona kanë mbetur të vdekur për shkak të protestave të dhunshme në Peru, ku përplasjen kanë shtyrë autoritetet vendore të vendosin edhe një regjim karantine përgjatë natës.

Në tërësi, që prej fillimit të demonstratave kundër burgosjes së ish-presidentit, Pedro Castillo, janë vrarë në protestë rreth 40 persona, në qytete të ndryshme të vendit.

Përgjakja e orëve të vona të së hënës, ndodhi në afërsi të aeroportit të Juliaca, në rajoni jugor të Puno-s.

Demonstruesit aty, u ndeshën me efektivët e Policisë dhe këta të fundit, sipas të gjitha dëshmive, kanë qëlluar me municione aktive ndaj qytetarëve.

Presidentja, e cila mori detyrën pas Castillo-s, Dina Boluarte, është hasur me rebelimin e qytetarëve dhe kërkesën e këtyre të fundit për t’u dorëhequr nga posti, duke e çuar kështu vendin në zgjedhje të parakohshme.

Megjithatë, asnjë hap i tillë nuk duket të jetë pranë.

Kryeministri i vendit, Alberto Otarola, i mbrojti forcat e sigurisë së Perusë dhe e bëri të qartë se shteti nuk do të ndalet para askujt, për të mbrojtur institucionet.

Mbetet gjithsesi për t’u parë se si do të zhvillohen ngjarjet, në një kohë kur karantina e vendosur do të hiqet mëngjesin e ditës tjetër dhe njerëzit do të jenë të lirë të lëvizin sërish.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore