Shqipëria

Përtej fasadës, jeta mes varfërisë dhe harresës


Kampi i komuniteteve rome dhe egjiptiane tek lagja Liria | Foto: Albanian Post

Në hyrje të lagjes të përshëndet një mal mbeturinash.

Duket sikur ka kohë që është aty. Dhe që është krejt në harmoni me gjithçka që e rrethon.

Përreth gjen gjithfarë rrangallash të mbetura aty nga kushedi ç’kohë dhe të tjera të sjellura për kushedi ç’arsye nga vet banorët.

Shtëpitë e arnuara me copëza hedhurinash, nisin aty dhe vazhdojnë çrregullt përgjatë gjithë asaj lugine harrese.

Duket sikur koha ka ndaluar për këta njerëz. Vet ata duken të jashtëkohshëm.

Përbri nje grumbulli të madh mbetjesh materiali ndërtimor luajnë tre fëmijë.

Loja e tyre është e vetmja gjë që, në krejt këtë humbëtirë, i shpëton surreales.

Dy gra hyjnë dhe dalin nga deriçkat.

Tutje, një burrë i shtyrë në moshë çan dru, me një sëpatë të cilën mezi e mban në duar.

Këmbët i zhyten në baltën e thelluar nga përmbytjet, që dominon sa sheh syri dhe nuk të lë të lëvizësh lirisht.

E godet drurin disa herë, por s’arrin ta çajë. Ai dru dhe jeta e tij mund të kenë shumë të përbashkëta.

Ngado kthen sytë sheh gjithçka qe s’do të duhej te ishte aty dhe dallon që mungon gjithçka. Përveç varfërisë, e cila mbretëron në heshtje.

Atë e jetojnë përditë 460 familjet e lagjes Liria, emri i së cilës ngjan në ironi fati, dhe zonës së Tribunës.

Në lagjen Liria dhe lagjet tjera përreth, në prangat e varfërisë jetojnë 2 mijë e 500 romë dhe egjiptinaë.

Nexhmije Rakipi është një ndër ta.

Nexhmija, që është në moshë të shtyrë, jeton tek Pazari i Vjetër. Po aq të vjetra thotë t’i ketë vuajtjet dhe nevojat e papërmbushura, të cilat i duken ne fytyrën plot rrudha dhe duart e çara.

“Mungon uji. Mungon rruga. Mungon strehimi. Mungon gjithçka”, thonë Nexhmija, derisa sytë pothuaj i mbushen me lot.

“Bashkia nuk na ka sjellë asnjë ndihmë. Ka tre muaj që nuk kanë sjellë asnjë ndihmë. Nuk marrim pension. Ka hyrë uji brenda në shtëpi, E kemi nxjerrë me kova”, shton ajo.

Kaq mund të flasë Nexhmija, para se zëri të nisë t’i dridhet. Nuk e mban më dot veten.

Gjithçka që na tha ajo, na e konfirmon edhe Kudret Shatza.

Kudreti është kryetar i komunitetit Rom dhe Egjiptian. Për Albanian Post, ai tregon se mungesa e ndihmave nga bashkia dhe organizatat jofitimprurëse e kanë rënduar jetesën aty.

Edhe me procesin e strehimeve thotë të mos kenë patur sukses. Nga komuniteti egjiptian kulm mbi kokë u është siguruar vetëm dy familjeve.

“Po pse nuk ankoheni?”, ishte pyetja në të cilën ai u përgjigj me: “Nuk kemi ku të ankohemi. Bashkia është tepër e mbyllur, për gjithçka”.

“Kemi bërë aq sa kemi mundur”, vazhdon Kudreti, teksa shpjegon se kanë arritur që me ndihmën e priftit pranë Fshatit të Paqes, komunitetit t’i sigurojnë dy vakte ushqimi në ditë.

“Dy vakte në ditë”, përsërit ai. “Dy vakte. Edhe ushqimin mezi ua sigurojmë”.

Lëmë kampin, për t’u nisur drejt bashkisë, nën shikimet e atyre njerëzve që sikur donin të thonin: “Mos na harroni edhe ju!”

Në bashki, rrëfimi është krejt tjetër.

“Në rastin e përmbytjeve nuk ka masa specifike për një komunitet të caktuar, sepse janë të gjithë në të njëjtën situatë”, thonë aty.

Dhe na konfirmojnë diçka nga “të vërtetat e dhimbshme”, që na kishte thënë Kudreti.

“Për situatën e përmbytjeve janë evakuuar vetëm dy familje”, vazhdon shpjegimi i bashkisë. “Njëra prej tyre i takon komunitetit egjiptian”.

Bashkia nuk ka përgjigje në pyetjen “si është e mundur që 2 mijë e 500 njerëz të lihen në mjerim, teksa përballë tyre jeta zhvillohet normalisht?”

Pyetja është e thjeshtë. Përgjigja mungon.

Këtu mbaron komunikimi ynë, i shkurtër, me bashkinë, që duhet të ketë qenë më i gjatë se secili komunikim që mund ta kenë pasur me të ata njerëz të lënë në harresë.

Mbaron edhe rrëfimi ynë për ta. Por, jo edhe varfëria, vuajtjet dhe harrimi i tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore