Lajme

Përtej agjendës zyrtare – gjithçka që do të ndodhë në Ohër


Foto nga Albanian Post

Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç nuk do të nënshkruajnë asgjë në Ohër të shtunën, sepse as nuk ua ka kërkuar kush nënshkrimin me këtë rast.

Albanian Post – përmes burimeve diplomatike të përfshira në organizimin e agjendës për takimin e 18 shkurtit mes Josep Borrell, Miroslav Lajçak e liderëve të Kosovës dhe Serbisë – ka kuptuar se takimi në qytetin ikonik maqedonas është vetëm për mbylljen përfundimtare të rundave negociuese për këtë fazë dhe pajtimin e përgjithshëm për pikat e implementimit të Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit të Raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Çfarë saktësisht do të ndodhë në Ohër?

Fillimisht Borrell e Lajçak takohen me Kurtin dhe Vuçiç-in në takime të ndara.

Këto takime nevojiten për konkretizim të pikave që më pas shërbejnë si hartë në takimin trepalësh mes dy diplomatëve të BE-së dhe Kurtit e Vuçiç-it.

Takimet paraprake janë praktikë e vendosur nga ndërmjetësuesja e parë, paraardhësja e Borrellit, baronesha Catherine Ashton.

Këtu u tregohet liderëve se kush do flas i pari dhe kush i dyti. Në cilat anë do të ulën, sa minuta kanë për fjalën hyrëse dhe për çka konkretisht do të flasin.

Liderët në këto takime tregojnë gjithashtu pikat e tyre konkrete dhe më pas arrihet pajtim se çka duhet të flitet e çka jo. E gjitha bëhet që të mos krijohen befasi në takim, por secili paraprakisht ta dijë rolin e vetë.

Më pas fillon takimi trilateral.

Albanian Post nga burimet ka kuptuar se takimi i Ohrit nuk do të prezantojë kurrfarë befasie. Palët do të pajtohen për udhërrëfyesin që parasheh zbatimin e pikave.

Pas takimit del Borrell dhe në një replikë të asaj që ndodhi në Bruksel me 27 shkurt, raporton për takimin dhe shpallë pajtimin formal të palëve.

Nënshkrim nuk do të ketë, sepse përtej simbolikës që prezanton Ohri për këtë pajtim ballkanik, rëndësia e ceremonisë së momentit është rezervuar për një kryeqytet tjetër evropian.

Parisi apo Berlini është një pyetje që akoma shtrohet, por në “Pole Position” mbetet Parisi, pikërisht për shkak të ndërlidhjes historike që ka me një proces tjetër negociuese, atë të Rambouillet.

Në organizimin e këtij takimi, në praninë e shumë liderëve botërorë dhe të gjithë liderëve ballkanikë do të bëhet nënshkrimi tashmë i arritur më parë.

Siç është cekur nga disa raste dhe nga Borrell dhe nga amerikani Gabriel Eescobar, pajtimi kosovaro-serb shkon shumë përtej dy shteteve dhe ka të bëjë me Ballkanin Perëndimor si rajon.

Ndërsa në Ohër gjithashtu do të sqarohet përfundimisht neni 4 dhe do t’i jepet qetësi shqetësimit të Vuçiç-it.

Neni 4 i marrëveshjes, paragrafi i dytë, thotë se Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare dhe presidenti serb ka drojën se kjo nënkupton edhe njohje indirekte të Kosovës, meqë ekziston rreziku që Kosova të anëtarësohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara e kjo është organizatë e shteteve të pavarura.

Për këtë nen, siç ka raportuar Albanian Post me 3 mars dhe siç e ka konfirmuar Josep Borrell të enjten në një deklarim për media, është punuar një shtojcë e re dhe një aneks shpjegues.

Serbia do të pajtohet me pikën, por duke marrë siguresën se shtetet tjera mos-njohës të Kosovës nuk ndikohen nga vendimi i Serbisë dhe janë ato që për arsyet e tyre mund ta bëjnë lobin kundër.

Madje, kjo ia hapë derën Serbisë që të realizojë lobim kundërshtues edhe vetë, por përmes këtyre shteteve dhe jo në formë direkte siç ka bërë deri tani.

Datë e rëndësishme do të jetë edhe 24 marsi kur do ketë edhe një konfirmim të pajtimit të arritur në Ohër, para datës së nënshkrimit formal. Ky takim i liderëve do të jetë edhe zhvillimi që do të futet në raportimin e rregullt të Borrell-it para ministrave të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian në Këshillin e Ministrave, si suksesi i madh diplomatik i BE-së.

Një nga konfirmimet më të rëndësishme që ka marrë Albanian Post nga burimet diplomatike është se aneksi për zbatimin e pikave të marrëveshjes nuk do të zbulohet i tëri njëherazi, siç ka ndodhur me vetë marrëveshjen.

Fazat implementuese do të mund të dihen vetëm hap pas hapi dhe jo si një totalitet i rrugës udhëzuese.

Kjo do t’ua krijojë komoditetin e nevojshëm dy liderëve që të japin deklaratat e tyre politike për konsum të brendshëm, siç kanë bërë edhe deri tani.

Derisa faza zbatuese fillon dhe në terren nis realizimi i marrëveshjes, deklarata politike nuk do paraqesin problem për ndërkombëtarët.

Siç është bërë e ditur edhe më parë, garancia për implementim do të mundësohet përmes një mekanizimi që është paraparë në pikën 10 të marrëveshjes.

Palët do të krijojnë një Komitet të përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, për monitorimin e zbatimit të kësaj Marrëveshjeje”, thotë njëra pjesë e Nenit 10.

Albanian Post kupton se këtë komitet me shumë gjasë do ta kryesojë Miroslav Lajçak, derisa do të formohet një bord monitorues me zyrtarë nga Prishtina dhe Beogradi.

Bëhet e qartë gjithashtu që as ky bord dhe as qeveritë nuk guxojnë ta elaborojnë publikisht si tërësi fazën implementuese që zyrtarisht do të ketë emrin “Aneksi Zbatues i Marrëveshjes së BE-së për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore