Shëndet

Perspektivat e reja të trajtimit të sklerozës së shumëfishtë


Zbulimi i fundit i një terapie të bazuar në qelizat burimore nervore ka hapur perspektiva të reja për trajtimin e sklerozës së shumëfishtë progresive në fazë të avancuara.

Kështu ka rezultuar nga një studim i publikuar në revistën “Nature Medicine”, i cili ka nisur që në vitin 2017 dhe është koordinuar nga Gianvito Martino.

Më konkretisht, trajtimi konsiston në një infuzion të këtyre qelizave nëpërmjet punksionit lumbal në lëngun cerebrospinal.

Tanimë, eksperimentet te kafshët kanë demonstruar aftësinë e qelizave staminale nervore për të qenë në gjendje të arrijnë, pasi injektohen, lezione të trurit dhe palcës kurrizore.

Po ashtu janë provuar që ato të nxisin mekanizmat neurombrojtëse dhe të riparimit, duke çliruar substanca imunomoduluese dhe pro-rigjeneruese.

Por studimi i fundit ka bërë të mundur për herë të parë vlerësimin e efekteve te njerëzit. Në të u përfshinë 12 persona me sklerozë të shumëfishtë progresive dhe paaftësi të lartë.

Pacientët, të ndarë në katër grupe, morën një numër në rritje qelizash, nga rreth 50 milionë në 500 milionë.

“Rezultatet treguan, përveç sigurisë dhe tolerancës së terapisë, një reduktim të ndjeshëm në humbjen e indeve të trurit , të vlerësuar me imazhe të rezonancës magnetike në dy vitet pas trajtimit”, ka treguar Angela Genchi, autorja e parë e botimit.

Sipas saj, analiza e lëngut cerebrospinal tregoi një ndryshim në përbërjen e tij duke demonstruar një pasurim për sa i përket faktorëve të rritjes dhe substancave neuroprotektive.

Më parë, qelizat burimore nervore nuk ishin përdorur kurrë te pacientët me sklerozë të shumëfishtë dhe, ndryshe nga qelizat burimore hematopoietike dhe qelizat burimore mezenkimale, kishin treguar në studimet laboratorike paraklinike se mund të kishin një potencial të lartë pro-rigjenerues.

Sakaq, bazat shkencore të këtij testi u hodhën nga një seri punimesh nga grupi i drejtuar nga Gianvito Martino, i cili, midis viteve 2003 dhe 2009, demonstroi efikasitetin e qelizave burimore nervore në disa modele eksperimentale të sklerozës së shumëfishtë.

Megjithatë, nuk është ende një terapi. “Rruga është ende e gjatë”, ka theksuar profesor Martino.

“Të dhënat e publikuara nuk janë ende të mjaftueshme për ta konsideruar këtë mundësi si një kurë të vërtetë, hapi tjetër do të jetë vazhdimi i një studimi të ri klinik eksperimental që përfshin një grup më të madh pacientësh”, ka vijuar ai.

Referuar profesorit të studimit, qëllimi përfundimtar është sfida e madhe me të cilën ata vendosën të përballeshin 20 vjet më parë.

Sfida është të zhvillojnë një terapi inovative dhe efektive për njerëzit me forma progresive të sklerozës së shumëfishtë që kanë, deri më sot, mundësi të kufizuara terapeutike.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore